Çela: S’do ketë rritje çmimi për 1 milion abonentë të OSHEE-së


TIRANË, 25 tetor /ATSH/ Menaxheri i OSHEE-së, Ardian Çela u shpreh sot se deri më datë 1 janar nuk ka asnjë projekt për rritje të tarifës së energjisë elektrike.

Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Komisionit për Politikën e Jashtme Çela theksoi se “për 1 milion abonentë që furnizohen nga OSHEE nuk do ketë rritje çmimesh”.

Ai tha se “më datë 1 janar OSHEE ka bërë aplikimin pranë Entit Rregullator të Energjisë i cili është institucioni që aprovon tarifat dhe nuk ka aplikuar për asnjë rritje tarife për sa i përket klientëve fundor të cilët janë lidhur nën nivelin 04 kW”.

“Pjesa tjetër është pjesë e një reforme që ka nisur që me miratimin e ligjit energjetik në mars 2015, që parashikon tregun e liberalizuar gradualisht, i cili ka filluar më shumë se 10 vjet përpara me klientët e lidhur me linjës 110 kW, ka vazhduar me 97 subjekte në vitin 2018 të lidhur me nivelin 35 kW dhe më 1 janar e gjithë pjesa tjetër që është e lidhur me tension të mesëm do të dalë në tregun e lirë edhe si pjesë e projektit me BB, ndërsa ka përfunduar platforma mes OST dhe OSHEE për këtë treg”, tha Çela.

Çela theksoi edhe një herë se nuk do të ketë rritje tarifash për 1 milion abonentë që furnizohen nga OSHEE.

Për sa i përket cilësisë së shërbimit ai tha se, niveli i defekteve është ulur ndjeshëm, i ankesave gjithashtu, ndërsa shtoi se sektori energjetik shqiptar ka nevojë për investime të reja.

Çela tha se periudha e pandemisë e preku sektorin energjetik në disa drejtime: si afektimin e 50 % të punonjësve, ulja e nivelit të kontrolleve, pamundësia për të bërë leximet në kohë reale që imapktojnë në bilancet energjetikë si dhe mos realizimi i investimeve, pasi edhe nënkontraktorët i ndërprenë investimet.

“Mosrealizimi i humbjeve me 1.4 % e impakton kompaninë me 1 miliard lekë. Për të mos harruar edhe ndryshimin e strukturës së konsumit. Ne kemi konsumin familjar,që në 2014 zuri rreth 54 %, pjesa tjetër është konsum i biznesit. Por 54% që tarifohet me 9.5 lekë është tarifë e subvencionuar, që do të thotë se kompania del me humbje. Por gjatë kohës së pandemisë u rrit konsumi familjar, çka impaktoi të ardhurat e kompanisë me 950 milionë lekë. Ndaj BERZH duke parë situatën ndërhyri për të ndihmuar kompaninë dhe për të mbështetur investimin në NST e Tiranës” tha Çela.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.