Gjiknuri inspekton punimet në Funar, 830 milion lekë investim

 

TIRANË, 24 tetor/ATSH/ Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, njëherazi drejtuesi politik i qarkut Elbasan, Damian Gjiknuri, i shoqëruar nga kreu i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, inspektuan punimet për linjën e re të furnizimit me energji elektrike në zonën e Funarit.

Investimi prej 830 milionë lekësh, përfshin ndërhyrjen në rrjetin e amortizuar prej disa dekadash dhe do t’i japë zgjidhje përfundimisht shqetësimeve të komunitetit, por edhe do i krijojë mundësi zonës të shndërrohet në një atraksion turistik.

“Funari ka goxha potencial turistik. Kemi pasur problematika të vazhdueshme me energjinë elektrike; kemi zgjidhur problematikat me ujësjellësin. Tani erdhi koha që të zgjidhim përfundimisht të gjitha problemet”, -u shpreh kreu i bashkisë Llatja gjatë inspektimit.

Gjiknuri vlerësoi se investimet që po kryhen në Funar jo vetëm do të shërbejë në rritjen e cilësisë së jetës së banorëve, por do të krijojnë një perspektivë të re zhvillimi të zonës.

“Nga pikëpamja e turizmit, kjo zonë e mbrojtur dhe pak e shfrytëzuar, ka potencial shumë të madh. Jam i bindur që edhe Bashkia e Elbasanit fokusin do e ketë në këtë drejtim. Më vjen mirë që qeveria shqiptare dhe OSHEE kanë bërë investimin e duhur për të garantuar një shërbim jetik ndaj qytetarëve, sikurse është furnizimi me energji elektrike.

Zhvillimi i mëtejshëm i zonës jam i bindur që do i shërbejë edhe biznesit, falë edhe zhvillimit të aseteve turistike të Funarit”, -tha Gjiknuri, ndërsa shtoi më tej se të gjitha Njësitë e Bashkisë Elbasan po e ndjejnë dorën e investimeve.

“Kjo është ajo çfarë presin njerëzit nga ne dhe çfarë do t’iu ofrojmë njerëzve në të ardhmen”,- përfundoi numri dy i PS-së.

Funari është një prej zonave me potencial të madh turistik në qytetin e Elbasanit dhe me investimet që po kryhen, shumë shpejt do të ketë një rritje të numrit të turistëve që e vizitojnë atë, jo vetëm gjatë verës, por edhe në sezonin e vjeshtës dhe pranverës.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.