Buxheti 2022, projektet prioritare në sektorin e ujit

212 milionë euro për përmirësimin e rrjetit të ujësjellësave dhe kanalizimeve

TIRANE, 24 tetor /ATSH/ Rritja e cilësisë së furnizimit me ujë në të gjithë vendin mbetet prioritet i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku publikoi projektet prioritare që financon buxheti i ri për vitin 2022.

Sipas saj, Programi Kombëtar i modernizimit të sektorit ujësjellës-kanalizimeve financohet me një vlerë totale prej 70 milionë euro (Banka Botërore).

Ndërsa rikonstruksioni i rrjetit të brendshëm të ujësjellësit në Bashkinë Durrës kap vlerën totale 62 milionë euro (AFD) dhe rikonstruksioni i rrjetit të ujësjellësit të bashkisë Tiranë me mbështetjen buxhetore prej 80 milionë euro (BEI).

Gjithashtu vitin që vjen përfundon investimi në 26 kantiere të rrjetit ujësjellës kanalizimeve.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka hartuar strategjinë kombëtare të sektorit të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve, 2020-2030.

Kjo strategji është një dokument i rëndësishëm, që do të orientojë Qeverinë në përpjekjet e saj në përmirësimin e sektorit të ujësjellës kanalizimeve.

Qëllimi i Strategjisë së Sektorit të Furnizimit me Ujë dhe Kanalizime është të përmirësojë ofrimin cilësor të shërbimeve të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve për qytetarët e Shqipërisë dhe të mbështesë zhvillimin ekonomik të vendit, bazuar në kryerjen e një shërbimi kryesor të infrastrukturës.

Objektiv strategjik është edhe forcimi i qëndrueshmërisë financiare dhe përballueshmërisë së shërbimeve të furnizimit me ujë dhe kanalizime ndaj parimeve të kontrollit të kostos dhe mbulimit të plotë të kostos. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.