Basha: Do të bëjmë gjithçka për të rinjtë

TIRANË, 24 tetor/ ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, priti në selinë e PD, të rinjtë e Partisë Popullore Austriake, ÖVP,  simotra e Partisë Demokratike.

“Ndava me ta vizionin e Partisë Demokratike për Shqipërinë dhe veçanërisht të rinjtë që janë shpirti dhe forca e kësaj partie. Theksova prioritetin kryesor të PD-së, që është anëtarësimi i Shqipërisë në BE, për t’u dhënë edhe të rinjve tanë shanse dhe mundësi të barabarta me bashkëmoshatarët e tyre europianë. Edhe pse në opozitë, ne do të bëjmë gjithçka për të rinjtë që sot fatkeqësisht shohin emigrimin si të vetmen zgjidhje”, u shpreh Basha për takimin.

“Jam krenar për të rinjtë shqiptarë që me aftësi dhe mençuri, shkëlqejnë në universitetet më të mira në botë, ndaj detyra për të cilën mbetem thellësisht i angazhuar, është të bëjmë gjithçka për t’i dhënë mundësinë kujtdo që dëshiron të arsimohet dhe të këtë mundësi të përparojë në jetë”, vijoi ai.

“Me mbështetjen e miqve dhe partnerëve tanë, do t’u mundësojmë të rejave dhe të rinjve, të jetësojnë potencialin e tyre të jashtëzakonshëm, e së bashku të ndërtojmë Shqipërinë Europiane”, përfundoi kryetari i PD-së. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.