193 shkelje të evidentuara me makinën inteligjente


TIRANË, 23 tetor/ATSH/ Njësia Operacionale e Drejtorisë së Policisë Rrugore, në bashkëpunim me Policinë Rrugore të Tiranës, vijon kontrollet me makinën inteligjente dhe me radarët e natës, duke evidentuar dhe ndëshkuar ata drejtues mjetesh që qarkullojnë me shpejtësi mbi normat e lejuara, pa vendosur rripin e sigurimit, që kryejnë parakalime të gabuara apo përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit.

Gjatë orëve të fundit, në rrugët e kryeqytetit dhe në rrugët interurbane Tiranë-Durrës-Tiranë, Tiranë-Elbasan-Tiranë, nga makina inteligjente dhe radari “Patrol” janë konstatuar 193 shkelje për shpejtësi, që varionin nga 147 km/orë deri në 158 km/orë.

Nga verifikimi i kryer nga operatorët që plotësojnë masat administrative të dërguara në server rezultoi se 64 prej tyre ishin me masë plotësuese të pezullimit të lejes së drejtimit, pasi qarkullonin me shpejtësi nga 60 deri në 70 km/h mbi normën e lejuar.

Po gjatë verifikimit rezultoi se 87 prej tyre, krahas shpejtësisë, kishin përdorur edhe celularin gjatë drejtimit të mjetit, ndërsa 49 të tjerë nuk kishin vendosur rripin e sigurimit.

Policia e Shtetit, duke ju uruar fundjavë të mbarë, apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës që të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor dhe fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo shkelje të Kodit Rrugor, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të shpejtë e profesional.

/m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.