Përkujtohet Imzot Frano Illia, kryeipeshkvi i parë i Shkodrës pas diktaturës

TIRANË, 22 tetor/ATSH/ Si sot më 22 tetor 1998, u nda nga jeta Imzot Frano Illia, kryeipeshkvi i parë metropolit i pasdiktaturës komuniste në Shkodër, në vitet 1993-1997.
Imzot Frano Illia lindi në fshatin Juban pranë Shkodrës, më 21 shkurt 1918. Ai u shugurua meshtar më 18 dhjetor 1943, ndërsa shërbeu në Tiranë, Shkodër, Milot e rrethina.
Më 1967 u arrestua dhe më 25 prill 1968 u dënua me vdekje, dënim që më vonë iu kthye në burgim të përjetshëm dhe punë të detyruar. U emërua Ipeshkv i Shkodrës dhe u shugurua nga Papa Gjon Pali II gjatë vizitës së tij në Shqipëri më 25 prill 1993. Vdiq më 22 tetor të vitit 1998.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave publikoi sot “Illyricum Sacrum” e Daniele Farlatit, përkthyer nga Dom Frano Illia, të cilën e përfundoi së përkthyeri më 19 gusht 1963.
Po atë vit ia propozoi veprën për botim Institutit të Historisë në Tiranë. Kjo vepër ruhet në AQSH.
/k.s/j.p/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.