Bino, apel të rinjve të vaksinohen: Mbi 2.2 milionë vaksina antikovid në vend

TIRANE, 22 tetor/ATSH/ Shefja e departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP, Silva Bino, tha sot se “procesi i vaksinimit vazhdon dhe aktualisht në vend kanë ardhur mbi 2.2 milionë vaksina”.

Në fjalën e saj në mbledhjen e Komitetit Teknik të Ekspertëve, Bino tha se “janë kryer mbi 1.8 milionë vaksinime dhe mbi 900 mijë vaksinime me doza të para. duke e sjellë mbulesën vaksinale për grupin target mbi 18 vjeç në 44 % dhe 38 % në rang kombëtar vetëm me një dozë”.

Sipas saj, vihet re një rritje e përdorimit të vaksinës “Pfizer”, cila po i afrohet përdorimit të “Coronavac”.

“Nga pikëpamja e grupmoshave vërejmë në javët e fundit rritje të grupmoshës nga 18-25 vjeç dhe 25-30 vjeç pavarësisht se mbulesa në këtë grup mbetet e ulët për shumë arsye që kemi diskutuar”.

Bino u bëri apel studentëve dhe të rinjve që të vaksinohen, pasi sipas saj vaksina është e sigurtë për ta, krijon imunitet, parandalon në njëfarë mënyre edhe transmetueshmërinë duke qenë se ngarkesa virale është më e ulët tek personat e vaksinuar.

“Të gjitha këto e bëjnë vaksinën të domosdoshme. Kovidi dëmton, vaksina nuk dëmton”, shtoi ajo.

Bino bëri të ditur gjithashtu se bashkitë që kanë mbulesën më të mirë vaksinale janë bashka e Gjirokastrës 78 % me një dozë dhe 72 % me dy doza. Kjo bashki po arrin nivelet europiane. Po ashtu edhe Tepelena, Puka dhe disa bashki në veri e jug të vendit kanë mbulesën më të mirë vaksinale.

Drejtoresha e ISHP-së, Albana Fico u shpreh se “incidenca dyjavore në Shqipëri është 222  raste të reja të infektuara për 100 mijë banorë. Ka një rritje të rasteve aktive totale në këtë periudhë në 6444 nga 6397, që i përkon shifrës 226 raste të reja të infektuara për 100 mijë banorë. Numri i bashkive të prekura është rritur dhe ka shkuar në 48. Raporti meshkuj femra i rasteve të konfirmuara mbetet sërish 48 % dhe 52 %”.

Sipas saj, mesatarja ditore e rasteve të shtruara në harkun njëjavor është 157, ndërsa në dyjavor 156.

Drejtoresha e ISHP-së tha se “vijon procesi i vaksinimit, me rritjen e numrit të vaksinave të aplikuara. Totali i dozave të aplikuara është 1 860 335 me një dozë 991 371 dhe me dy doza 868 974”.

Fico i bëri thirrje studentëve të vaksinohen. “U bëjmë thirrje studentëve të vaksinohen, duke qenë se në universitetet respektive kanë edhe skuadrat e vaksinimit. Të mos harrojmë edhe zbatimin e masave si mbajtja e maskave në ambientet e mbyllura, distancimin, etj.”, tha Fico.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.