Vikingët zbuluan Amerikën 1 000 vjet përpara Kolombit?

TIRANË, 21 tetor /ATSH/ – Shumë kohë përpara se Kristofor Kolombi të kalonte Atlantikun, tetë ndërtesa të veshura me lëndë druri të mbuluara me pluhur qëndronin në një tarracë mbi një torfë dhe përrua në majën veriore të ishullit kanadez të Newfoundland, dëshmi se vikingët kishin mbërritur të parët në Botën e Re, sipas Reuters.

Por, koha e saktë se kur vikingët udhëtuan për të themeluar vendbanimin L’Anse aux Meadows kishte mbetur e paqartë, të paktën deri tani.

Shkencëtarët thanë dje se një lloj i ri i teknike, duke shfrytëzuar një stuhi diellore shumë kohë më parë si pikë referimi, zbuloi se vendbanimi ”u pushtua” në vitin 1021 pas Krishtit, saktësisht 1 000 vjet më parë dhe 471 vjet përpara udhëtimit të parë të Kolombit.

Udhëtimi viking përfaqëson arritje të shumta për njerëzimin. Vendbanimi ofron dëshmitë më të hershme të njohura të një kalimi transatlantik. Ai gjithashtu shënon vendin ku globi u rrethua përfundimisht nga njerëzit, të cilët mijëra vjet më parë kishin ecur në Amerikën e Veriut mbi një urë tokësore që dikur lidhte Siberinë me Alaskën.

“Shumë lavdërime duhet t’u shkojnë këtyre evropianëve për të qenë shoqëria e parë njerëzore që përshkoi Atlantikun”, tha gjeoshkencëtari Michael Dee nga Universiteti i Groningenit në Holandë, i cili drejtoi studimin e botuar në revistën ”Nature”.

Vikingët ishin detarë të regjur në Norvegji, Suedi dhe Danimarkë.

Ata kaluan nëpër Evropë, ndonjëherë duke kolonizuar dhe herë të tjera duke bërë tregti ose bastisje. Ata zotëronin aftësi të jashtëzakonshme për ndërtimin e anijeve dhe lundrimin dhe krijuan vendbanime në Islandë dhe Groenlandë.

Anijet e tyre prej druri, të quajtura anije të gjata, lëvizeshin me vela. Një shembull i mbijetuar, i quajtur anija ”Oseberg”, është afërsisht 21,6 metra e gjatë.

Epoka e vikingëve është përcaktuar tradicionalisht mes viteve 793-1066 pas Krishtit, duke paraqitur një gamë të gjerë për kohën e kalimit transatlantik.

Historitë gojore të quajtura Sagat Islandeze përshkruajnë një prani vikingësh në Amerikë.

Të shkruara shekuj më vonë, ato përshkruajnë një udhëheqës të quajtur Leif Erikson dhe një vendbanim të quajtur Vinland si dhe ndërveprime të dhunshme dhe paqësore me popujt vendas, përfshirë kapjen e skllevërve./ a.jor.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.