Vetingu, Basha: Pastrimi i politikës nga krimi e korrupsioni, interesi i shqiptarëve

TIRANË, 20 tetor/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u shpreh sërish sot në lidhje me një nga amendamentet e PD-së për ndryshimet kushtetuese, si vetingu i politikanëve.

Basha ka shpërndarë një mesazh shkëputur nga fjala e tij një ditë më parë në konferencën për mediet.

Ai thekson se është në interes të të gjithë shqiptarëve që llumi i tranzicionit të pastrohet.

“Është interesi i të gjithë shqiptarëve, i socialistëve dhe i demokratëve të thjeshtë, që politika të pastrohet nga llumi i tranzicionit, nga njerëz që këto 30 vjet pavarësisht siglës politike që kanë mbajtur, nganjëherë e kanë ndërruar, nganjëherë kanë dalë me sigla të reja, kanë përdorur politikën për tu pasuruar paligjshmërisht dhe ç’është më e keqja, kanë futur në politikë llumin e shoqërisë, krimin e organizuar. Kanë shkatërruar konkurrencën në treg që është themeli i zhvillimit të ekonomisë dhe punësimit, duke fuqizuar një grusht njerëzish, vetëm e vetëm sepse ndajnë me ta favore, privilegje, pushtet dhe para, në kurriz të qindra-mijëra sipërmarrësve të ndershëm”, shprehet ai.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.