“Shkolla, qendër komunitare”, përgatitet programi i lëvizjes sportive shkollore

TIRANË, 21 tetor/ATSH/ Nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme po ndjekin pasionet e tyre pas mësimit në kuadër të nismës “Shkolla Qendër Komunitare”.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot pamje nga momentet që këta nxënës kalojnë në shkolla në sporte të ndryshme.

“Mirëmëngjes dhe me energjinë e këtyre të rinjve, që ndjekin pasionet e tyre pas mësimit, pjesë e nismës “Shkolla Qendër Komunitare”, ndërkohë që përgatitemi për programin e lëvizjes sportive shkollore, që do të nisë nga viti i ardhshëm, ju uroj një ditë të mbarë”, theksoi Rama.

Nisma e MAS për zhvillimin e shkollave si qendër komunitare (SHQK) mbështetet në moton e të punuarit së bashku për një qëllim të përbashkët, që është ndërtimi i partneritetit shkollë-familje-komunitet, në funksion të zhvillimit të potencialit të plotë të nxënësve.

Veprimtaritë e shkollës si qendër komunitare janë nga më të ndryshmet, disa prej tyre sipas udhëzuesit për funksionimin e SHQK janë: veprimtari për përforcim të të nxënit (konsultimet), veprimtari për pasurimin e zhvillimit akademik (kurse/klube), veprimtari për zhvillimin artistik, kulturor dhe sportiv, veprimtari për angazhimin dhe mbështetjen e familjes, veprimtari për angazhimin e komunitetit, seanca trajnimi për stafin, për përfaqësues të komunitetit etj.)

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.