Ekspertizë nga BB në shërbimet për qytetarët, Ekonomi takon Salinas

TIRANË, 21 tetor /ATSH/ Ekspertiza e Bankës Botërore në drejtim të rritjes së standardeve të shërbimit ndaj qytetarëve, ishte në fokus të takimit që zhvilloi ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Standardet, Milva Ekonomi me përfaqësuesit e Bankës Botërore në Tiranë, Emanuel Salinas dhe Evis Sulko.

“Me Bankën Botërore prej vitesh kemi ndërtuar një bashkëpunim të frytshëm në shume projekte dhe fusha të ndryshme”, u shpreh Ekonomi.

Ekonomi vuri në dukje se, “në takimin me përfaqësuesit e BB në Tiranë, Emanuel Salinas dhe Evis Sulko pata një takim prezantues, ku bëra të njohura mundësitë dhe hapësirat e bashkëpunimit në drejtim të rritjes së standardeve të shërbimit”.

“Ekspertiza e vyer e këtij institucioni ndërkombëtar, do të jetë e vlefshme në hapat e mëtejshëm që do të ndërmarrim në këtë drejtim”, deklaroi ministrja.

Banka Botërore vitin e kaluar njoftoi se, në kushtet e situatës së krijuar nga COVID-19, zbatimi i projektit për ofrimin e shërbimeve të përqendruara për qytetarët, që ka nisur në vitin 2015, do të vijojë përtej afatit të parashikuar për t’u mbyllur në fund të këtij viti.

Qëllimi i projektit është të përmirësojë efikasitetin e ofrimit dhe aksesit të shërbimeve të veçanta administrative në Shqipëri.

Projekti nxit Agjencinë e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruar (ADISA) të  zgjerojë aksesin dhe të përmirësojë efikasitetin duke hapur qendra të reja të shërbimit qytetar dhe rritjen e numrit të aplikimeve për këto shërbime në këto qendra në mënyrë të vazhdueshme; Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) të rrisë numrin dhe nivelin e automatizmit të shërbimeve online të disponueshme në portalin e-Albania; dhe institucionet qeveritare t’i orientojë në proceset e biznesit drejt thjeshtimit rregullator dhe shkëmbimit të  informacionit elektronik përmes teknologjisë së informacionit me sisteme mbështetëse për dhënien e shërbimeve.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.