COVID-19 – Sistemi spitalor rumun në situatë apokaliptike

BUKURESHT, 21 tetor /ATSH-DPA/ -Një rritje e madhe e numrit të pacientëve me COVID-19 po e çon në kufijtë e kapacitetit sistemin e kujdesit shëndetësor të Rumanisë, duke nxitur diskutime nëse kufizimet pandemike do të shtrëngohen, për t’i dhënë fund situatës apokaliptike.

Mjekja Victoria Arama, në Bukuresht, e përshkroi situatën si “apokaliptike”.

“Pacientët me COVID-19 po shtyheshin me njëri-tjetrin në korridoret e spitalit, ndërsa luftonin për pajisjet e oksigjenit”, u citua ajo në mediet lokale.

Në nivel kombëtar, në kujdesin intensiv ka 1 799 pacientë me koronavirus, disa në korridoret e spitaleve, kontejnerët e transportit, tenda dhe ambulanca, sepse ka vetëm 1 668 shtretër në kujdes intensiv.

Rumania tashmë ka dërguar 30 pacientë të sëmurë rëndë në Hungarinë fqinje.

Vetëm 34,8 për qind e rumunëve janë vaksinuar plotësisht, një shifër që është ndër më të ultat në 27 vendet anëtare të BE-së.

Në 24 orët e fundit, në Rumani kanë vdekur më shumë persona nga COVID-19, sesa në të gjithë Bashkimin Evropian në të njëjtën periudhë: 574 viktima.

Shkalla e vdekshmërisë, prej 19,01 për një milion banorë, ishte sot më e larta në botë, sipas projektit Our Ëorld in Data.

Mesatarja lëvizëse 14-ditore prej 859 infeksionesh të reja në ditë është, gjithashtu, ndër më të lartat në Bashkimin Evropian.

Presidenti Klaus Iohannis do të takohet me drejtuesit e qeverisë për të vendosur se çfarë veprimesh duhen ndërmarrë për të kontrolluar shpërthimin./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.