Tetori i librit, Margariti: Me QKLL, njerëzit e letrave e kanë tashmë një “shtëpi”

TIRANE, 20 tetor/ATSH/ Ministrja e Kulturës, Elva Margariti mori pjesë në një dialog të hapur mes shkrimtarëve dhe studiuesve në hapësirat e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, në kuadër të Tetorit të Librit.

“Çdo ftesë për të takuar njerëz të librit, shkrimtarë, botues, përkthyes është gjithnjë e mirëpritur. Këta “gardianë të gjuhës”, siç thotë poeti Laureat, Rudolf Marku na ndërgjegjësojnë dhe na ulin me këmbë në tokë për rolin që politika duhet të ketë përballë librit”, – tha Margariti.

Ministrja Margariti u shpreh se “ngritja e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit i ka dhënë një frymëmarrje librit e të gjithë biem dakord që tashmë njerëzit e letrave e kanë një “shtëpi”, ndonëse problemet me të cilat ata përballen çdo ditë janë të shumta”.

“Jam gjithnjë e hapur për të dëgjuar mendimet, por edhe ndihmën e tyre, me qëllim zgjidhjen e problemeve që ka libri, në atë procesin e gjatë e të vështirë, që nga krijimi deri te lexuesi”, theksoi Margariti.

Pjesë e takimit ishin diskutimet mbi statusin e shkrimtarit, intelektualit dhe artistit sot në shoqëri dhe sa i ndihmuar është ky status nga institucionet dhe si i menaxhohen vlerat më të mira.

Tetori është një muaj, i cili e lidh lexuesin më shumë me librin dhe nevojën që ata kanë për t’u mbështetur te leximi.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.