Tabaku: Integrimi nuk është prioritet për qeverinë

TIRANË, 20 tetor /ATSH – I. Vata/ Kryetarja e Këshillit Kombëtar të Integrimit, Jorida Tabaku, në nisje të mbledhjes së radhës të Këshillit, falënderoi BE për mbështetjen e vazhdueshme për Shqipërinë, por shprehu qëndrimin e opozitës se qeveria nuk ka punuar për të mundësuar nisjen e negociatave të anëtarësimit.

Tabaku theksoi se raporti i progresit zbulon problemet e Shqipërisë përtej fasadës së krijuar nga qeveria.

“Nëse e lexojmë korrekt këtë raport do të shohim që Shqipëria nuk është “fshati Potemkin” që na pikturohet. Raporti qartë dhe saktë na përshkruan një Shqipëri reale që e gjejmë në të gjitha raportet e tjera ndërkombëtare pa përjashtim”, tha ajo.

Po ashtu, Tabaku renditi 9 tregues të përkeqësuar në raportin e fundit të progresit.

“Integrimi Europian nuk është ndër prioritetet e kësaj qeverie. Shqetësime që lidhen me zgjedhjet dhe përdorimin e burimeve publike dhe pandëshkueshmëria për krimet zgjedhore; Transparencë e ulët në aktivitetin e qeverie dhe kjo shoqëruar me kufizimin e lirisë se medias është problem real për Shqipërinë. Lexova me shqetësim raportin e WJP ku Shqipëria ka treguesit më të këqij në zbatim të ligjit nga 2015 dhe akoma nuk po shohim rezultate në drejtësinë e re. Ne ndërmorëm një reformë në drejtësi për të shmangur presionin mbi sistemin gjyqësor dhe të drejtësisë, por fatkeqësisht ende sot në raportet ndërkombëtare e gjejmë të përmendet”, tha Tabaku.

“Korrupsioni, fatkeqësisht thotë raporti është i përhapur në të gjitha nivelet e jetës publike. Megjithëse opozita e madje edhe vetë personalisht kam dërguar dosje dhe raste të qarta korruptive në krijesën më të re të drejtësisë, SPAK, kemi vërejtur një heshtje deri në atrofizim të këtij institucioni për këto çështje që prekin temën e ditës edhe në BE; sundimin e ligjit dhe korrupsionin. Megjithëse problemi i pastrimit të parave qe një ëndërr e keqe për Shqipërinë prej më së paku 6 vitesh jemi rikthyer edhe një herë në hartë e zezë të monitorimit. Pak vite pasi Gjykata Europiane e Auditit deklaroi se 1 në 3 tendera jepen pa garë mjedisi dhe realiteti nuk ka ndryshuar. Konkurrenca nuk është rritur, proceset vazhdojnë të jenë të mbyllura dhe procedurat vazhdojnë të jenë sa për sy e faqe”, tha ajo.

Në praninë edhe të ambasadorit të BE dhe përfaqësuesve të qeverisë, Jorida Tabaku vlerësoi si shumë shqetësues për vendin raportimet serioze ndërkombëtare se Shqipëria është në nivelin e kapjes së shtetit dhe se qeveria ka bërë përpjekje të vazhdueshme për të privuar lirinë e mediave.

Tabaku: Shqipëria e papërgatitur për negociatat

Në takimin e Këshillit Kombëtar të Integrimit pas daljes së progresraportit, Jorida Tabaku bëri përgjegjëse qeverinë pse Shqipëria nuk ka përmbushur kriteret për hapjen e negociatave: demokracia, mirëqenia ekonomike, të drejtat e njeriut janë në përkeqësim.

“Ne nuk mund të sajojmë një luftë apo armiqësi të paqena me faktorë të jashtëm ndërkohë që në 8 vite kemi lëvizur pak ose aspak në fushat kryesore”, u shpreh Tabaku.

“Me keqardhje them se sot nuk ka struktura të forta te ngritura, nuk ka një ekip serioz, ka negociator por që është pa portofol. Kjo sepse ka retorikë por nuk ka vullnet politik! Nuk ka vullnet politik pasi nuk ka asnjë vizion për të parë Shqipërinë në BE! Dhe këtë vullnet të munguar duhet ta rikthejmë ne këtu. Prandaj ka ardhur koha të heqim dorë nga ballot, medaljet e festat për këtë proces dhe të jemi të sinqertë, të shohim njëri tjetrin në sy dhe të pranojmë që kjo është situata reale, ashtu si e përshkruan raporti!”- u shpreh Tabaku.

Po ashtu, Tabaku i bëri thirrje mazhorancës në Parlament të tregojë me vepra, jo me fjalë se qëndron për vlerat europiane.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.