Shembulli frymëzues i Gjenovefës, fitoi betejën me kancerin e gjirit

TIRANË, 20 tetor /ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu solli sot shembullin frymëzues të Gjenovefës, e cila me kurajo ka fituar betejën kundër kancerit të gjirit.

“Gjenovefa është ndër ato gra të forta, që me kurajë të jashtëzakonshme ka luftuar dhe ia ka dalë ta fitojë betejën me kancerin e gjirit. Sot, është shembull frymëzues për shumë gra që përballen me sëmundjen e rëndë”, shprehet Manastirliu.

Ministrja theksoi se, gjatë këtij muaji do të vijojmë apelin për sensibilizimin e grave që të kryejnë kontrolle, pasi diagnostikimi i hershëm shpëton jetë.

“Nuk do të reshtim këtë tetor dhe çdo ditë të vitit, të çojmë zërin tonë te çdo grua, që të marrë pak kohë për kontrollin e gjirit, sepse diagnostikimi i hershëm, të shpëton jetën”, tha ministrja.

Në 1 tetor, Manastirliu, ka çelur fushatën kundër kancerit të gjirit, në muajin kushtuar luftës ndaj kësaj sëmundjeje.

Muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit është një fushatë vjetore ndërkombëtare, që synon të shpërndajë informacion dhe të edukojë njerëzit për rëndësinë e shëndetit të gjirit, për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit te gratë dhe vajzat në të gjithë botën.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.