SHBA, mbështetje Shqipërisë në përpjekjet për anëtarësim në BE

TIRANË, 20 tetor/ATSH/ Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Yuri Kim u takua sot me drejtuesit e komisionit parlamentar për Punët e Jashtme, kryetaren Mimi Kodheli dhe zëvendëskryetarin, Tomor Alizoti.

Ata diskutuan rrugën në vijim për forcimin e bashkëpunimit midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë në fushat e demokracisë, mbrojtjes dhe biznesit, njoftoi Ambasada e SHBA.

Ambasadorja Kim shprehu vlerësimin e Shteteve të Bashkuara për vendimin e jashtëzakonshëm të Shqipërisë për të ofruar përkohësisht një strehë të sigurtë për qytetarët e shpërngulur afganë.

Ajo përsëriti gjithashtu mbështetjen e SHBA për përpjekjet e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke theksuar deklaratat e fundit të Sekretarit Blinken, ku ai bën thirrje për hapjen e negociatave sa më shpejt të jetë e mundur.

Ambasadorja Kim, kryetarja Kodheli dhe zv.kryetari Alizoti ranë dakord për të punuar ngushtë së bashku për të çuar përpara zbatimin e Reformës në Drejtësi, forcimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe aftësive të Shqipërisë si anëtare e NATO-s dhe rritjen e tregtisë dhe investimeve midis dy vendeve tona.

Ata ranë dakord se, qoftë në Tiranë apo Uashington, rëndësia e partneritetit midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë i tejkalon politikat partiake.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.