Sarandë, diskutohet me publikun paketa e investimeve për zhvillimin urban

TIRANË, 20 tetor /ATSH/ Projektet e reja të investimeve që po ndërmerr bashkia e Sarandës synojnë nxitjen e turizmit dhe zhvillimin e integruar urban të gjithë kësaj zonës.

Bashkia e Sarandës në kuadër të “Programit për Zhvillimin e Integruar Urban dhe Turizmin”, organizoi të martën diskutimin me publikun për “Projekte të Detajuara për Përmirësimin Urban të Integruar dhe Portën Turistike Sarandë”.

Në këtë dëgjesë dhe diskutim me publikun merrnin pjesë krahas drejtuesve dhe specialistëve të Bashkisë Sarandë, këshilltarë bashkiakë, përfaqësues të medieve etj.

Kryebashkiaku Adrian Gurma, vuri në dukje se “sezoni turistik që sapo e lamë pas, ishte shumë i suksesshëm por kjo kërkon një përgjigje shumë eficiente sa i përket çështjes së menaxhimit të fluksit turistik, menaxhimit të mbetjeve dhe të gjitha shërbimeve të tjera publike në territorin e Bashkisë”.

Projektet që prezantojmë, vijoi ai, janë nga më të rëndësishmit kryesisht në infrastrukturën e qytetit, portuale turistike dhe atë të peshkimit.

“Ato synojnë t’i japin një tjetër qasje turizmit por edhe sa i përket çështjes së mobilitetit, asaj të parkimit në qytet, etj.”, theksoi Gurma.

Gurma theksoi se “është shumë e rëndësishme të shfaqim opinionet, sugjerimet dhe vërejtjet tona me qëllim që Saranda siç e promovon edhe ky projekt sikurse ka edhe emrin, Saranda të jetë porta e turizmit”.

Takimi me publikun e Sarandës përfshiu prezantimet e një pakete investimesh zhvillimore në infrastrukturën e qytetit nga konsulentë, projektues dhe specialistë të FSHZH-së me fokus “Projekt ide paraprake, udhëzime dhe llogaritjet paraprake për projektet e zgjedhura për investim”.

Ndër projektet e përzgjedhura që u prezantuan nga specialistët e FSHZH dhe ata të studiove të angazhuara, ishin: rivlerësimi urban i rrugës “Skënderbeu”, ndërhyrje harmonizuese në Sheshin “Nënë Tereza” dhe “Europa”, në rrugën “Mitat Hoxha”, ndërtimi për herë të parë i një terminali ose Qendër Mirëseardhje për mjetet interubane, lidhjet me rrugica vertikale të plazheve të pjesës perendimore të qytetit me Unazën e Portit, projekti i taksive të ujit, etj.

Diskutantët e vlerësuan paketën e projekteve dhe adresuan sugjerime për një harmonizim më të mirë të disa komponentëve përbërës sipas tipologjisë, traditës, nevojës për përballimin e flukseve turistike, harmonizimin e trafikut në qytet, investimin si parësor të një terminali për autobusët interurbanë, nevojës parësore për parkingje, etj.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.