Rindërtimi, mbi 560 milionë lekë për financimin e riforcimit të shtëpive dhe pallateve në Durrës

TIRANË, 20 tetor/ATSH/ Këshilli i Ministrave vendosi sot përdorimin e fondit të rindërtimit për financimin e riforcimit të njësive individuale të banimit dhe njësive të banimit në ndërtesa (pallat), në bashkinë e Durrësit.

Në vendim thuhet se, Këshilli i Ministrave vendosi përdorimin e fondit të rindërtimit, në masën 561 411 457 (pesëqind e gjashtëdhjetë e një milionë e katërqind e njëmbëdhjetë mijë e katërqind e pesëdhjetë e shtatë) lekë pa TVSH, për financimin e riforcimit të njësive individuale të banimit dhe njësive të banimit në ndërtesa (pallat), të cilat janë klasifikuar si objekte të pabanueshme ose të dëmtuara rëndë apo të dëmtuara lehtë dhe që nuk duhen rindërtuar nga e para, por kanë nevojë për punime rikonstruksioni ose riparime, në Bashkinë Durrës”.

“Fondi i rindërtimit për financimin e riforcimit, sipas pikës 1, të këtij vendimi, për vitin 2021, të jetë në masën 112 282 291 (njëqind e dymbëdhjetë milionë e dyqind e tetëdhjetë e dy mijë e dyqind e nëntëdhjetë e një) lekë”, thuhet në vendimin e Këshillit të Ministrave.

“Efekti financiar, të përballohet nga hapësira buxhetore e siguruar pas ngurtësimit në të njëjtën masë të fondeve të projekteve të rindërtimit me ecuri të ngadaltë dhe t’i kalojë Bashkisë Durrës, në formën e transfertës së pakushtëzuar”, theksohet në vendim.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.