Progresraporti i KE-së, vlerësohet miratimi i ligjit për sigurimin e detyrueshëm

TIRANË, 20 tetor/ATSH/ Komisioni Evropian në progresraportin për Shqipërinë ka vlerësuar në veçanti miratimin e ligjit “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”.

Në gjetjet e Kapitullit 9 “Shërbimet financiare”, raporti nënvizon se “është bërë progres në lidhje me rekomandimet e vitit të kaluar përmes miratimit të ligjit për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”.

Më tej, raporti thekson se ligji i cili hyri në fuqi në korrik 2021 është në përputhje me legjislacionin e BE-së. Dokumenti përmend gjithashtu masat e marra nga Autoriteti për të garantuar stabilitetin financiar të tregjeve në kuadër të pandemisë COVID-19, duke veçuar vendimin e bordit për pezullimin e shpërndarjes së fitimit të vitit 2020 nga shoqëritë e sigurimit, në formën e dividendit apo në çdo formë tjetër pagesash.

Në lidhje me infrastrukturën e tregut financiar, konstatohet se Bursa Shqiptare e Titujve vijon të operojë vetëm me tregtimin e titujve qeveritarë. Gjithashtu, theksohet se Regjistri Shqiptar i Titujve (ALREG) plotëson infrastrukturën e pas tregtimit, përmes klerimit/shlyerjes së titujve joqeveritarë.

Në dokument përmenden në veçanti ligjet e reja të miratuara për tregjet e kapitalit, sipërmarrjet e investimeve kolektive dhe tregjet financiare të bazuara në regjistrat e shpërndarë.

Progresraporti konstaton se në zbatim të ligjit “Për sipërmarrjet e investimeve kolektive”, janë miratuar aktet nënligjore për investimet kolektive, rastet e pezullimit, menaxhimit të rrezikut dhe procedurat e licencimit. Gjithashtu është miratuar ligji “Për tregjet e kapitalit”, shoqëruar me 5 rregullore në zbatim të tij.

Këto akte përafrojnë pjesërisht kuadrin ligjor të Shqipërisë me direktivën MiFID II dhe legjislacionin e BE-së për transparencën, manipulimin e tregut, prospektet, mbi shlyerjen dhe depozitarët qendrorë të titujve.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.