Mbretëresha Elizabeth II refuzon çmimin “Oldie of the Year”

LONDËR, 20 tetor /ATSH-DPA/ – Mbretëresha Elizabeth II mund të jetë 95 vjeçe, por ajo ka refuzuar trofeun për të moshuarit “Oldie of the Year”, sepse ndjen se nuk i plotëson kriteret, duke besuar se “njeriu është aq i vjetër, sa ndihet”.

Monarkja, me mirësjellje, por me vendosmëri, e refuzoi çmimin, por dërgoi një mesazh me “urimet më të ngrohta”.

Autori dhe spikeri Gyles Brandreth, kryetar i çmimeve, i shkroi sekretarit privat të Mbretëreshës, Sir Edward Young, për të pyetur nëse ajo do të pranonte çmimin kryesor të “Oldie of the Year”.

Por në një letër të botuar në numrin e nëntorit të revistës, ndihmësi i sekretarit të saj privat, Tom Laing-Baker, shkroi: “Madhëria e saj beson se je aq i vjetër, sa ndihesh, prandaj, si e tillë, Mbretëresha nuk beson se i plotëson kriteret përkatëse për ta pranuar dhe shpreson se do të gjeni një marrës më të denjë”.

Elizabeth II, e cila është vetëm pesë vjet larg nga ditëlindja e saj e 100-të, është monarkja më jetëgjatë në pushtet i kombit dhe do të festojë Jubileun e saj Platinum, 70 vjet në fron, vitin e ardhshëm.

Për 29 vitet e fundit, Çmimet “Oldie of The Year” kanë festuar arritjet e personave të brezit të vjetër që kanë dhënë një kontribut të veçantë në jetën publike.

Fituesit e mëparshëm kanë përfshirë nga të gjitha fushat e jetës, nga fituesit e Oskarit deri te fituesit e Nobelit, nga infermierët e kujdesit në komunitet tek atletët veteranë, nga Sir John Major tek Dame Olivia de Havilland dhe David Hockney./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.