Kombëtarja e femrave U-19, Krepi: Atmosferë pozitive, ndaj Andorrës japim më të mirën tonë

TIRANË, 20 tetor/ATSH/ Kombëtarja shqiptare e femrave për grupmoshën nën 19 vjeç ka nisur sot përgatitjet për ndeshjen e dytë ndaj Andorrës, e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Evropian 2022.

Trajneri Kreshnik Krepi ka pasur të plotë të gjithë skuadrën e tij, duke zhvilluar kështu një seancë të plotë stërvitore.

Në një prononcim për fshf.org, tekniku kuqezi u shpreh se gjendja e skuadrës paraqitet pozitive, pavarësisht se gjendja fizike e skuadrës nuk është në 100% e saj. Krepi u ndal edhe te barazimi i djeshëm ndaj Moldavisë, ku u shpreh se skuadra zhvilloi një ndeshje të mirë dhe se ekipi kuqezi pati disa raste për ta fituar ndeshjen, duke qenë më dominuese. Trajneri foli edhe për ndeshjen e radhës ndaj Andorrës, ku u shpreh se skuadra do të bëjë më të mirën dhe do të kërkojë tre pikëshin.

I pyetur për gjendjen e skuadrës, Krepi tha se,  “atmosfera e skuadrës është shumë pozitive, pasi na ka shërbyer shumë java e përgatitjes në Durrës. Sa i përket gjendjes fizike të skuadrës, nuk është në 100% e tyre, pasi edhe kampionati i femrave në Shqipëri ka dy javë që ka nisur. Gjithsesi në raport me mundësitë, me elementin që kemi në skuadër, të paktën te ndeshja e parë, duke marrë parasysh që nuk e njihnim kundërshtarin, pavarësisht se përgatitjet në kampionatin e tyre kishin gati një muaj e gjysmë që kishin nisur, ne dominuam në shumë aspekte të lojës, ku me pak fat edhe mund ta fitonim ndeshjen. Pavarësisht se krijuam 3-4 situata për të shënuar, loja mbaroi 0-0 por gjithsesi vajzat kanë një atmosferë shumë pozitive dhe kjo na bën të jemi optimistë për një rezultat pozitiv te ndeshja e radhës”.

I pyetur nëse është i kënaqur me ndeshjen e djeshme, Krepi tha se, “normalisht që jam i kënaqur sepse në të gjitha detyrat e dhëna, sidomos reparti i mbrojtjes, ashtu si edhe skuadra në mbrojtje në 20 minutëshin e parë, sa u njoh me vendosjen e kundërshtarit ishte perfekt, ashtu si edhe në minutazhin e mbetur, ku mbrojtjen e çuam lart. Kemi probleme në ofensivë, ku në raport me kohën që kemi, shpresojmë t’i rikuperojmë ato defekte”.

I pyetur se çfarë presim nga skuadra ndaj Andorrës, Krepi tha se, “sa i përket rezultatit në ndeshjen e radhës, besoj shumë te kondicioni dhe elementet e shprehive të situatave në sulm që po punojmë me vajzat këto dy ditë. Në raport me Andorrën, jam i bindur që nuk do të luajë si me Uellsin, sepse diferencat ishin shumë të mëdha dhe e priti kundërshtarin 90 minuta në gjysmëfushën e vet. Gjithsesi do bëjmë më të mirën dhe me Andorrën do mundohemi të realizojmë një gol dhe kur realizon, gjithmonë duke qenë pastër mbrapa dhe të mundohemi pa gabime, të shpresojmë të marrim tre pikëshin”.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.