Kim: Negociatat e pranimit të Shqipërisë me BE-në, të fillojnë pa vonesa

TIRANË, 20 tetor /ATSH – I. Vata/ Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim deklaroi sot se negociatat e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut duhet të fillojnë pa vonesa.

Ambasadorja Kim shpërndau deklaratën e përbashkët të Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, dhe përfaqësuesit të Lartë të BE për Politikën e Jashtme, Josep Borrell, të cilën shprehen se vendet e Ballkanit Perëndimor i përkasin Bashkimit Evropian.

“Jemi plotësisht dakord me deklaratën e Blinken dhe Borrell se rajoni i Ballkanit Perëndimor i përket Bashkimit Evropian dhe se negociatat e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut duhet të fillojnë pa vonesa. Pranimi në BE, një përparësi e deklaruar për të gjithë Ballkanin, ndihmon në konsolidimin e institucioneve demokratike, në mbrojtjen e të drejtave themelore dhe në përparimin e shtetit të së drejtës”, shkruan ambasadorja Kim.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe BE ranë dakord të forcojnë më tej angazhimin e tyre të përbashkët në Ballkanin Perëndimor në mbështetje të përparimit të rajonit në rrugën e tij evropiane. Në një deklaratë të Departamentit Amerikan të Shtetit nënvizohet mbështetja e plotë për procesin e zgjerimit të BE-së.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.