Bankat, standarde të lehtësuara kreditimi për bizneset

TIRANË, 20 tetor /ATSH/ Standardet e kreditimit për bizneset vijuan lehtësimin në tremujorin e tretë të vitit 2021.

Banka e Shqipërisë publikoi rezultat e vrojtimit mbi aktivitetin kreditues, sipas të cilit, “standarde të lehtësuara kreditimi u raportuan në të dy segmentet sipas madhësisë së biznesit: biznesit të vogël e të mesëm, si dhe biznesit të madh.

Po ashtu, standardet u lehtësuan në të dyja llojet e përdorimit të kredisë: atë me qëllim financimin e investimeve dhe atë për mbulimin e nevojave për likuiditete.

Sipas BSH-së, lehtësimi i standardeve të kreditimit për bizneset u nxit nga perceptimi i bankave për rrezik më të ulët për situatën aktuale ekonomike e perspektivën e saj, si edhe për gjendjen financiare të bizneseve.

Po ashtu, në lehtësimin e standardeve të kreditimit ndikoi dhe perceptimi mbi përmirësimin e situatës ekonomike në vendet partnere tregtare. Në kahun shtrëngues të standardeve të kreditimit ndikuan toleranca më e ulët e bankave kundrejt rrezikut dhe rreziku lidhur me kolateralin e kërkuar. Gjithsesi, balancat negative të këtyre treguesve ishin nën mesataret e tyre historike.

“Për tremujorin e fundit të vitit 2021, standardet e kreditimit për bizneset priten të lehtësohen më tej. Bankat presin të aplikojnë standarde më të lehtësuara kreditimi mbi kreditë e dhëna për qëllime investimi, si edhe për mbulimin e nevojave për likuiditet. Po ashtu, standardet e kreditimit priten të lehtësohen më tej në të dyja segmentet e madhësisë së biznesit: atë të vogël e të mesëm, si edhe të biznesit të madh”, thuhet në raportin e BSH-së.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.