Agjencia për Medie dhe Informim, mekanizëm për transparencë maksimale

TIRANË, 20 tetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “Agjencia për Medie dhe Informim është një mekanizëm për të garantuar transparencën maksimale në raport me median dhe çdo pretendim tjetër është një alarm fals”.

Në konferencën e përbashkët për mediet me kreun e Delegacionit të BE-së në Tiranë, ambasadorin Luigi Soreca, Rama iu përgjigj pyetjes lidhur me kërkesën e gjashtë organizatave ndërkombëtare për lirinë e medias që qeveria të tërhiqet nga krijimi i kësaj organizate.

“Sot kam edhe një përgjigje. A e dini ju të gjashtë organizatat se çfarë është Agjencia për Media dhe Informim? Dhe modestisht them se nuk e keni idenë se për çfarë flisni kur ngrini këtë shqetësim. Megjithatë unë jam shumë i gatshëm që të 6 organizatat t’i pres personalisht bashkë me drejtorin e Agjencisë, të ulem dhe si të dëshironi ju, me kamera apo pa kamera, të flasim. Ju të pyesni dhe ne t’ju japim llogari. Dhe në fund, me mendje të hapur, të kuptoni se kjo agjenci është e kundërta e asaj që thoni ju, komplet e kundërta”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “Agjencia do të garantojë që nëse një media has një problem me një institucion dhe pengohet që të marrë informacionin zyrtar në dispozicion, ju t’i drejtoheni këtij mekanizmi dhe të thoni po na pengon institucioni filan”.

“Dhe ky mekanizëm vihet në lëvizje për ju. Kjo është njëra anë. Për të tjerat se janë disa, jam i gatshëm ku të doni, kur të doni, unë do vij para jush dhe do t’ju jap llogari për të gjitha pyetjet. Keni një keqkuptim aq të madh, sa është vërtet për të ardhur keq”, tha Rama.

Kryeministri tha se “ajo që është edhe më për të ardhur keq, është që përpara se sa të flisni shqip me qeverinë tuaj, mbushni botën me alarme false, për fantazma që janë në imagjinatën tuaj, që nuk ekzistojnë”.

“Unë ju jap fjalën se nëse ju, nga dialogu që do të keni do të arrini në përfundimin se kjo Agjenci duhet hequr, unë do ta heq fare. Ju jap fjalën, por ama pasi të dëgjoni argumentet dhe pasi të sillni një fakt, një provë, një shembull, një arsye, një gjë që bën sens, atëherë  Agjencia do të shkrihet. Por në të kundërt ju duhet t’i shkruani gjithë këtyre njerëzve që i keni alarmuar që ‘na falni, po ishte alarm fals'”, tha Rama.

Ndërsa, ambasadori Soreca tha se “sot kemi diskutuar gjatë për lirinë e fjalës dhe të shprehurit dhe besoj se në raport do të gjeni edhe përgjigjen e pyetjes tuaj, e cila ka të bëjë pikërisht me Agjencinë për Median dhe Informimin”.

“Ajo që ne themi në raport është se medias duhet t’i jepet akses, ose qasje në aktivitetet e qeverisë, institucioneve të qeverisë në një mënyrë të tillë që e lejon median të kryejë detyrën e saj, një detyrë që është thelbësore dhe për demokracinë gjithandej, përfshirë edhe Shqipërinë”, tha Soreca.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.