​Kurti për sulmin në “Trepçë”: Nuk do të ketë asnjë individ e as grup më të fuqishëm se shteti

PRISHTINË, 20 tetor/ATSH/ Kryeministri i Kosovës Albin Kurti i ka dhënë mbështetjen e tij të plotë menaxhmentit, bordit dhe punëtorëve të ndërmarrjes “Trepça”, pas incidentit të fundit kur u.d. së drejtorit Enis Abdurrahmani, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, janë sulmuar në vendin e tyre të punës nga disa persona. Ndërkohë që u zotua se në dy vitet e ardhshme do të investojnë mbi 70 milionë euro në “Trepçë”.

Kurti, i shoqëruar nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, dhe dy deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje në një konferencë për media tha se ndjen keqardhje për atë që ka ndodhur, e aq më tepër për kërkesën e këshillit grevist, për tërheqjen e deklaratave të të lënduarve në Polici.

Kreu i ekzekutivit u zotua se nuk do të ketë asnjë individ e as grup më të fuqishëm se shteti.

“Na vjen shumë keq se çfarë ka ndodhur, një sulm i organizuar, i dhunshëm mbi udhëheqjen, në këtë rast e dënojmë ashpër këtë sulm të tillë, i cili është i drejtuar kundër “Trepçës” dhe nuk është për të mirën e Kosovës. Si kryeministër i Kosovës, zotohem se nuk do të ketë  asnjë individ e as grup më të fuqishëm se shteti. Ata të cilët si individ a grupe synojnë të jenë më të fuqishëm se shteti bien në kundërshtim me ligjin[…] Ushtrues i detyrës së kryeshefit është z. Enis Abdurrahamani dhe ai e ka mbështetjen time të plotë, bashkë me z. Bahri që është kryesues i bordit”, tha ai.

Ai kërkoi nga të lënduarit që të mos i tërheqin deklaratat e tyre në Polici, duke thënë se kërkesa e këshillit grevist për një gjë të tillë është e pashembullt dhe nuk mund të ndodhë.

“Këshilli grevist ka bërë edhe kërkesë që ata, të cilët e kanë pësuar dhunën e atij grupi prej dhjetëra njerëzve, që nuk dihet bash krejt kush janë, që ata që i kanë paraqitur deklaratat në polici, t’i tërheqin ato. Merreni me mend, nuk ju ka mjaftuar që e kanë sulmuar drejtorin, por një ndër kërkesat është që ata që këta tash ta tërheqin deklaratën që e kanë pësuar dhunën. Kjo është e pashembullt dhe nuk do të ndodhë[…] Ne i ftojmë që të mos bien pre e një këshilli grevist, i cili kërkon që të tërhiqen deklaratat e dhëna në Polici”, shtoi Kurti.

Me këtë rast, ai foli edhe për çmimet e bursës dhe përkushtimin që si qeveri kanë për ndërmarrjen “Trepça”.

Kurti u zotua se në dy vitet e ardhshme do të investojnë mbi 70 milionë euro në “Trepçë”.

“Jam i inkurajuar me faktin që në muajin shtator ka pasur prodhim shumë të madh në Trepçë. Kemi nxjerrje të mbi 16 mijë tonëve xehe vetëm në minierën e Stantërgut dhe mbi 4 mijë në atë të Kishnicës në Artanë. Është lajm i mirë për Trepçën që çmimet në bursë janë ngritur, çmimet e plumbit dhe zinkut janë ngritur dhe janë të larta si asnjëherë[…]Jemi të lumtur që kur ishim në qeverisje pranverën e kaluar, e kemi dëshmuar edhe të udhëheqja edhe tek punëtorët se jemi shumë të interesuar për Trepçën. Në kushtet e pandemisë kur ishim edhe në gjendje të vështirë politike, i kemi ndarë mbi 7 milionë euro për Trepçën dhe atë 2.6 milionë kanë qenë për rimëkëmbjen, diku 2.3 milionë për paga dhe rreth 1.2 milionë kanë qenë për investime kapitale. E në dy vitet në vijim, do t’i ndajmë së paku 70 milionë euro për investimet në ‘Trepçë’”, tha ai.

Edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se janë të përkushtuar që Trepça të performojë më mirë dhe që të mos flitet më për probleme dhe incidente.

“Për këtë na duhet bashkëpunim, bashkëpunim me menaxhmentin e ‘Trepçës’, na duhet bashkëpunim dhe përkrahje edhe e punëtorëve të Trepçës. Vetëm në këtë mënyrë ne mund të zgjidhim çështjen e kushteve të punëtorëve[…]Na duhet përmirësim i menaxhimit, sepse përndryshe hedhja e fondeve në një ndërmarrje ku nuk ka ligjshmëri nuk do të sjellë të mira as për Mitrovicën, as për punëtorët e as për buxhetin e Kosovës”, u shpreh ajo.

Kurse u.d. së kryeshefit ekzekutiv të ndërmarrjes “Trepça”, Enis Abdurrahmani apeloi grevistët që të kthehen në punë, pasi siç tha ai, si menaxhment do të jenë aty për t’iu përgjigjur nevojave të tyre.

“Nga këtu i bëjmë apel të gjithë punëtorëve dhe minatorëve që të kthehen në detyrat e tyre të punës. Le ta dinë që ne si menaxhment e gëzojmë mbështetjen e plotë të shtetit dhe të qeverisë dhe për çdo nevojë që kanë, ne do të jemi këtu që t’i përkrahim me forma të ndryshme, qoftë financiare, qoftë me pako tjera sociale që ofrohen nga qeveria”, tha Abdurrahmani.

E kryesuesi i bordit, Bahri Hyseni tha se me përkrahjen që po u jep qeveria Kurti, ndërmarrja “Trepça” ka perspektivë të mirë para vetes.

Kreu i ekzekutivit është pyetur për takimin që pritet të mbahet nesër mes grupeve punuese të Kosovës dhe Serbisë për të gjetur një zgjidhje të përhershme për targat, por që nuk është përgjigjur. Ai tha para gazetarëve se lidhur me këtë çështje mund të flas zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.

Vizita e sotme e cila u përcjell me një takim që zgjati për më shumë se një orë vjen pas incidentit kur drejtori Enis Abdurrahmani, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, janë sulmuar në vendin e tyre të punës nga disa persona, me ç’rast kanë marrë lëndime dhe janë trajtuar në spitalin e Mitrovicës.

/KosovaPress/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.