Dita Evropiane kundër Trafikimit, OSBE nis trajnim treditor

TIRANË 18 tetor /ATSH-I.Vata/ Filloi sot në Tiranë, në Ditën Evropiane kundër Trafikimit, një trajnim triditor simulues në fushën e antitrafikimit të qenieve njerëzore, i pari i këtij lloji në Shqipëri.

Trajnimi, i organizuar nga Prezenca e OSBE-së dhe Zyra e Përfaqësuesit të Posaçëm dhe Koordinatorit të OSBE-së për Luftën kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore, mbështetet në një qasje të patrajtuar më parë në programet e rritjes së kapaciteteve të strukturave antitrafikim.

“Prezenca e OSBE-së në Shqipëri i ka dhënë përparësi prej kohësh luftës kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe ky trajnim simulues ngërthen shumë elementë kyç të punës sonë, nga ndjekja e një qasjeje që bazohet te të drejtat e njeriut dhe vendos në qendër viktimën; te çuarja përpara e bashkërendimit ndërinstitucional dhe midis aktorëve të ndryshëm; te përdorimi i mjeteve dhe i metodave më të fundit për krijimin e kapaciteteve dhe forcimin e kundërpërgjigjes”, tha ambasadori Vincenzo Del Monaco, në fjalën e hapjes.

Ai tha se, përveçse një krim i tmerrshëm, trafikimi i personave është, së pari dhe mbi të gjitha, një shkelje e të drejtave të njeriut, dhe se ne të gjithë kemi përgjegjësinë e thellë për t’iu kundërvënë kësaj plage tragjike. “Asnjë institucion apo individ nuk mund të punojë i vetëm në trajtimin e trafikimit e qenieve njerëzore. Si në çdo sfidë të përbashkët, zgjidhja nuk është kurrë tek ‘unë’, por gjithmonë te ne”, tha ai.

Në ceremoninë e sotme folën edhe zëvendësministrja e Brendshme, Romina Kuko, zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale, Denada Seferi, përfaqësuesi i Posaçëm dhe koordinatori i OSBE-së për Luftën kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore, Valiant Richey, përfaqësuesi i UNICEF-it në Shqipëri, Roberto de Bernardi dhe përfaqësuesja e ambasadës britanike Harriet Morgan.

Përgjatë tri ditëve të trajnimit, rreth 40 profesionistë do të angazhohen në zbatimin e skenarëve realë të trafikimit, për të identifikuar viktimat dhe për t’i hetuar rastet sipas një qasjeje të bazuar në të drejtat e njeriut dhe me në qendër viktimën. Pjesëmarrës në trajnim do të jenë punonjës socialë, punonjës të policisë, prokurorë, inspektorë pune dhe organizata të shoqërisë civile.

Trajnimi zhvillohet në kuadrin e programit kundër trafikimit të qenieve njerëzore të financuar nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, nëpërmjet zyrës së UNICEF-it në Shqipëri, i cili zbatohet nga disa organizata, përfshirë Prezencën e OSBE-së.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.