Smartfonët favorizojnë miopinë te fëmijët

ROMË, 17 tetor /ATSH-ANSA/ – Miopia po shfaqet gjithnjë e më shumë para kohe dhe shkon paralelisht me përdorimin më të madh të telefonave inteligjentë dhe tabletëve që në moshë të re.

Dyshimet e fundit se si shikimi i fëmijëve ndikohet negativisht nga pajisjet dixhitale, që u përdorën gjerësisht në pandemi, hiqen nga një analizë krahasuese e 33 studimeve, e botuar në revistën “Lancet Digital Health”.

“Miopia është në rritje në mbarë botën dhe gjysma e popullsisë globale do të vuajë prej saj deri në vitin 2050″, paralajmërojnë autorët e analizës.

“Ky trend po shoqërohet me një reduktim të moshës së shfaqjes së miopisë, një përshpejtim në shkallën e përparimit, që paralajmëron një rritje të barrës globale të miopisë së lartë dhe ndërlikimeve të saj në dekadat e ardhshme”, shtojnë ata.

Ka të ngjarë që “epidemia e miopisë të nxitet nga ekspozimi ndaj faktorëve të rrezikut gjatë fëmijërisë, të pranishëm në shoqëritë gjithnjë e më të urbanizuara”, të tilla si “koha e pamjaftueshme e kaluar jashtë dhe shumë kohë e kushtuar aktiviteteve që kërkojnë një përqendrim të ngushtë”.

Madhësia e mostrës së studiuar ishte midis 155 dhe 19 934 personave, kurse mosha mesatare e pjesëmarrësve ishte 3-16 vjeç.

Koha e shikimit të pajisjes dixhitale u shoqërua ndjeshëm me një rrezik prej 30 për qind të zhvillimit të miopisë, që u rrit në 80 për qind, kur kompjuteri u përdor më shpesh.

“Fëmijët përdorin smartfonë dhe tableta për periudha të gjata të pandërprera dhe në distanca më të shkurtra shikimi, sesa librat”, shpjegojnë studiuesit.

Këto rezultate janë edhe më të rëndësishme, sepse “ato vijnë pasi miliona fëmijë në të gjithë botën kanë kaluar shumicën e ditëve të tyre duke mësuar në distancë, për shkak të mbylljes së shkollave gjatë pandemisë”, komenton një nga autorët, Rupert Bourne, profesor i okulistikës në Universitetin Anglia Ruskin./ /ervo/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.