Kalim kufiri me dokumente të falsifikuara, arrestohen dy shtetas turq në Rinas

TIRANË 17 tetor /ATSH-I.Vata/ Policia Kufitare Rinas ka goditur sot një tjetër rast të veprimtarisë kriminale në fushën e falsifikimit të dokumenteve, duke vënë në pranga 2 shtetas turq të cilët tentuan të kalonin kufirin me dokumente të falsifikuara.

“Shërbimet e Policisë Kufitare Rinas si rezultat i masave të shtuara për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kanë kaluar për verifikim të pasaportave të shtetasve turq O. C, dhe M. D, të cilët do të udhëtonin me itinerar Rinas-Genevë”, informon Policia e Shtetit.

Gjatë verifikimeve, të dyja pasaportat e shtetasve të lartpërmendura kanë rezultuar të falsifikuar.

“Në vijim të veprimeve, u arrestuan në flagrancë shtetasit O. C, 27 vjeç dhe M. D, 28 vjeç, për veprën penale “Falsifikimit të letërnjoftimeve, të pasaportave ose të vizave” dhe materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme”, bën të ditur Policia. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.