FOTOGALERI-Nis Maratona e Tiranës, Veliaj: Treguesi më i bukur i një kryeqyteti që po i rikthehet normalitetit


TIRANË, 17 tetor/ATSH/-Nis zyrtarisht Maratona e Tiranës pas një viti pushim për shkak të pandemisë së COVID- 19, me të cilën u përball e gjithë bota.

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në fjalën e tij hapëse falenderoi të gjithë pjesëmarrësit nga Shqipëria dhe e gjithë bota, ndërsa theksoi se Tirana tani është zyrtarisht e hapur .

“Faleminderit që keni mbushur Tiranën plot me gëzim, falënderoj sidomos ata 1000 vetë që kanë ardhur nga 35 shtete të ndryshme, duke filluar nga Kosova, Maqedonia e Veriut , Presheva. Ne jemi zyrtarisht të hapur dhe rikthimi i maratonës pas viteve mungesë është ndoshta shenja më e bukur e një Tirane që do i rikthehet normalitetit e jetës aktive. Një mirëseardhje të zjarrtë për të gjithë ata që na vizitojnë për herë të parë. Shpresoj të rrini sa më gjatë dhe të vini sa më shpesh”, theksoi Veliaj.

Kreu i Bashkisë tha se sot vrapohet edhe për kauza të rëndësishme si ajo e “Run with refugees”, për të treguar që jemi një vend i hapur, jemi një qytet i hapur.

“Më vjen shumë mirë që qyteti ynë me 144 nacionalitete të ndryshme është një derë të hapur për të gjithë ata që kanë nevojë. E di që vrapojnë për shumë kauza të tjera. Janë ata që vrapojnë për arsye mjedisore, ata që vrapojnë për sëmundje të ndryshme ose për të adresuar çështje shumë të rëndësishme sociale. Keni gjithë respektin tonë dhe mezi pres që përtej sensibilizimit të Maratonës ne të jemi aleat në gjithë këto kauza të përbashkëta. Shumë faleminderit, fitoftë më i miri por mbi të gjitha të kënaqemi të gjithë”, u shpreh ai.

Në fund Veliaj falenderoi të gjithë qytetarët e Tiranës që respektuan zhvillimin e këtij aktiviteti duke lënë makinat në shtëpi.

Për t’i lënë vendin pistës për garuesit qarkullimi i automjeteve është devijuar si dhe nuk do të lejohet parkimi i mjeteve në këto akse.

Sipas njoftimit të policisë, ditën e sotme kufizimi i qarkullimit të automjeteve nis nga ora 7:00 deri në 17:00.

 

Maratona do të ndahet në 4 kategori, e para e quajtur ‘Marathon’ do të jetë 42.1 kilometra, e dyta është “Half Marathon” me gjatësi 21 kilometra, dhe 2 garat e tjera Tirana 10K dhe We too që janë më shumë motivuese se sa konkurruese.

Në Maratonë do të shpërndahen edhe çmime për fituesit e vendeve të para, në varësi të garave ku do të marrin pjesë.

Për kategorinë “Marathon” me 42 kilometra çmimet janë:

Vendi i tretë: 2000 Euro

Vendi i dytë: 3000 Euro

Vendi i parë: 5000 Euro

Për kategorinë “Half Marathon” 21 kilometra çmimet janë:

Vendi i tretë: 1000 Euro

Vendi i dytë: 1500 Euro

Vendi i parë: 2000 Euro

Për kategorinë “Tirana 10K” çmimet janë:

Vendi i tretë: 500 Euro

Vendi i dytë: 600 Euro

Vendi i parë: 800 Euro

Për kategorinë “We too” çmimet janë:

Vendi i tretë: 300 Euro

Vendi i dytë: 400 Euro

Vendi i parë: 500 Euro.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.