Kriza energjetike, Ibrahimaj: Nuk do ketë rritje çmimi për familjet dhe biznesin

TIRANË, 16 tetor /ATSH/ Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj duke u ndalur në situatën energjetike u shpreh se, mbështetja që është prezantuar nga kryeministri Edi Rama pak se një javë më parë parashikohet që të arrijë në total vlerën 200 milionë euro.

“Kjo vlerë do të jepet për importet e energjisë elektrike dhe do të jetë e kushtëzuar me nevojat që Shqipëria do të ketë për të importuar energji. Nuk është një krizë vetëm e çmimeve por është një krizë dhe e ofertës së energjisë elektrike dhe për këtë arsye ishte e nevojshme që ne të merrnim masa që të garantonim likuiditetin e duhur për të blerë energji pasi aty është një treg ndërkombëtar dhe gjithçka varet nga mundësia e financimit të këtyre lëvizjeve”, u shpreh Ibrahimaj gjatë një interviste televizive.

Ibrahimaj theksoi se nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë për familjet dhe biznesin e vogël.

“Në radhë të parë, reforma e energjisë ka parashikuar një rritje graduale të çmimeve me qëllim arritjen e eficiencës së operatorit të shpërndarjes. Kjo kategori biznesesh në bazë të vendimit që do të merret nga MIE pasi nuk është një vendim që merret nga MFE, patjetër që do të ketë një rritje të çmimeve të energjisë për biznesin e madh dhe patjetër që kjo kosto do të transferohet në çmime të konsumatorit sepse është një çmim prodhimi i cili do të transferohet pjesërisht tek konsumatori” deklaroi Ibrahimaj.

Duke u ndalur tek procesi i fiskalizimit ajo tha se, “është reforma më e madhe që Tatimet kanë ndërmarrë gjatë këtyre viteve”. teksa e cilësoi arritje të suksesshme rimbursimet e TVSH-së për të gjitha bizneset, gjatë kohës që ishte Drejtoreshë e Përgjithshme e Tatimeve, në dy vitet e fundit”.

“Unë vij nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, një nga institucionet më të rëndësishme të varësisë të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë nga ku kam drejtuar për pak më shumë se dy vite dhe në këtë institucion ka qenë një 2-vjeçar shumë intensiv pasi në këtë periudhë ne bëmë reformën më të rëndësishme të asaj strukture, atë të fiskalizimit. Ndërkohë që pati edhe shumë ecuri të tjera pozitive. Për herë të parë gjatë asaj periudhe ndodhën rimbursimet e TVSH-së që kanë qenë gangrena kryesore të bizneseve dhe tatimpaguesve. Ato u zeruan, u dhanë në kohë dhe të dyja këto unë i mbaj si fitore të miat në atë institucion”, theksoi ajo.

Lidhur me deklaratën e FMN-së për ekonominë shqiptare ajo tha se “patjetër që ne do të lexojmë më kujdes raportin final të FMN-së i cili del në fillim të muajit dhjetor ku ka një analizë të detajuar sesa një deklaratë dhe në bazë të rekomandimeve do të marrim të gjitha masat që transparenca të rritet”.

“Transparenca nuk është vetëm një rekomandim i një institucioni ndërkombëtar. Rritja e transparencës na shërben ne më shumë për ti shpjeguar qytetarëve se çfarë po bën qeveria shqiptare dhe si mendon që të arrijë në ato objektiva që i ka përcaktuar vetes”, u përfundoi Ibrahimaj.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.