Vjedhje e energjisë, arrestohen në flagrancë 10 shtetas

TIRANË, 15 tetor/ATSH/ Policia e Shtetit në bashkëpunim me Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) po vijon kontrollet për parandalimin e vjedhjes së energjisë elektrike.

“Si rezultat i kontrolleve të përbashkëta me OSHEE-në janë evidentuar 21 raste të vjedhjes së energjisë elektrike. Kishin bërë lidhje të paligjshme të energjisë elektrike ose kishin ndërhyrë në matësit elektrikë në banesat e tyre, me qëllim për të vjedhur energjinë elektrike, arrestohen në flagrancë 10 shtetas, në Tiranë, Fier, Lezhë, Dibër e Shkodër, procedohen penalisht 10 shtetas të tjerë në Lezhë e Durrës, si dhe shpallet në kërkim 1 shtetas tjetër në Tiranë”, bën të ditur Policia.

Po ashtu bëhet e ditur se strukturat e policisë do të vijojnë kontrollet në të gjithë vendin, për të parandaluar, evidentuar dhe goditur paligjshmërinë në cilëndo fushë që ajo shfaqet.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo rast të paligjshmërisë.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.