Kreu i Postës Shqiptare apel punonjësve: Vaksinohuni, mënyra më e mirë për t’u mbrojtur nga virusi


TIRANË, 15 tetor/ATSH/ Administratori i Postës Shqiptare, Ervin Bushati i shprehu sot punonjësve të këtij institucioni mirënjohjen për punën e palodhur edhe në kohë të vështira si pandemia, ndërsa theksoi se “kontributi i gjithësecilit është një vlerë e shtuar për të çuar përpara çdo sfidë”.

Gjatë një vizite në ambientet e Postës Shqiptare, Bushati tha se “me tërmetin dhe me pandeminë posta edhe institucione të tjera të rëndësishme kanë vazhduar punën dhe keni mbajtur peshën më të vështirë. Gjatë pandemisë u ndanë mbi 1 milion gjysmë pensione për të moshuarit”.

“Shpresoj të vazhdoni me të njëjtin standard dhe sa më të lartë shërbimin dhe ju kërkoj të gjithëve të vaksinoheni, nuk ka asnjë mënyrë më të mirë për t’u mbrojtur nga virusi, për të mbrojtur fëmijët në radhë të parë, veten tuaj, por edhe ata që ndihmoni, pasi duhet keni parasysh që këtu vijnë njerëz në nevojë, të moshuar etj.”, – theksoi Bushati.

Kreu i Postës Shqiptare u shpreh se “nuk ka metodë më të mirë se vaksinimi, prandaj duhet ta bëni të gjithë vaksinën”.

“Meqënëse jeni të gjitha zonja, është tetori rozë dhe duhet të bëni gjithashtu mamografinë falas”, – i tha Bushati punonjëseve të institucionit që drejton.

/k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.