GJENEVË – Uashingtoni gati të rinisë organin e OBT-së për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve

GJENEVË, 15 tetor /ATSH-AFP/ – Përfaqësuesja amerikane e Tregtisë, Katherine Tai, sinjalizoi mundësinë e rifillimit të funksionimit të organit të OBT-së për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve tregtare.

Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ishte hapur armiqësor ndaj Organizatës Botërore të Tregtisë deri në bllokimin e organit të saj që shqyrton ankesat.

Prandaj, ky organ nuk ka funksionuar që nga dhjetori 2019 për shkak të vendeve bosh.

Administrata e Joe Biden ka treguar qartë gatishmërinë e saj për të ripërfshirë SHBA-në në organizata shumëpalëshe.

Megjithatë, sa i përket OBT-së, ajo dëshiron ta reformojë institucionin për ta bërë atë më efikas.

“Ne besojmë se mund të kemi sukses në reformimin (…) nëse krijojmë një OBT më fleksibël, nëse ndryshojmë mënyrën se si i qasemi problemeve në mënyrë kolektive (…) dhe nëse rivendosim funksionin e këshillimit të organizatës”, tha Tai gjatë një fjalimi në Gjenevë.

Ajo kujtoi se organi i zgjidhjes së mosmarrëveshjeve synon të “lehtësojë zgjidhjet” e gjetura me konsensus midis anëtarëve.

“Është e qartë se me kalimin e kohës, zgjidhja e mosmarrëveshjeve  është bërë sinonim i proceseve gjyqësore”, shtoi ajo, duke vënë në dukje se proceset gjyqësore nuk përfundojnë kurrë dhe janë “të shtrenjta”./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.