Eksportet drejt Zvicrës gati 1.8 miliardë lekë

TIRANË, 15 tetor/ATSH/ Eksportet e produkteve shqiptare, kryesisht prodhimet bujqësore, materialet e ndërtimit, mineralet dhe metalet po rrisin praninë e tyre në tregjet zvicerane.
Eksportet shqiptare drejt Zvicrës shënuan rritje me mbi 3 herë përgjatë 8 muajve të parë të këtij viti. Por ndryshe nga eksportet, importet shënuan rënie të ndjeshme.

Sipas raportit të INSTAT-it, eksportet drejt Zvicër në vlerë arritën gati 1.8 miliardë lekë, nga 518 milionë lekë që ishin për të njëjtën periudhë të 2020-ës.

Ndërsa importet në vlerë ranë në rreth 5.2 miliardë lekë, nga rreth 7 miliardë që ishin në 8-mujorin e vitit 2020.

Zvicra është një nga 10 vendet më të rëndësishme për tregun shqiptar. Disa kompani të mëdha zvicerane janë të pranishme në Shqipëri, ndërkohë që një numër në rritje i ndërmarrjeve të vogla e të mesme zvicerane po zbulojnë tregun shqiptar.

Llogaritet që në Shqipëri veprojnë afërsisht 65 kompani zvicerane, ndërsa 35 kompani shqiptare kryejnë aktivitet të rregullt tregtar me Zvicrën. Kompani të tjera zvicerane janë pjesëmarrëse në tregun energjetik dhe në fushën e zhvillimit të turizmit.

Në vitin 2015 në Tiranë u krijua Dhoma e Tregtisë Zvicër-Shqipëri, ndërsa në vitin 2021 në Gjenevë u krijua Dhoma e Tregtisë Shqipëri-Zvicër, të cilat shërbejnë si platforma të rëndësishme në funksion të rritjes së bashkëpunimit ekonomik e tregtar mes dy vendeve. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.