Dita Ndërkombëtare e “Shkopit të Bardhë”, Kushi: Shkollat speciale, qendra burimore

 

TIRANË, 15 tetor/ATSH/ Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi ka pritur sot fëmijë dhe mësues nga Instituti i Fëmijëve Që Nuk Shikojnë, në Ditën Ndërkombëtare të “Shkopit të Bardhë”.

Grupi i fëmijëve dhe mësuesve, së bashku me drejtuesin e Institutit Emiliano Lule, kanë bërë fillimisht një ecje sensibilizuese nga sheshi “Skënderbej” deri në MAS. Ministrja Kushi i ka pritur dhe shoqëruar fëmijët në zyrën e saj, ku fëmijët me recitimet e tyre përcollën mesazhe mjaft domethënëse.

Drejtuesi i Institutit të Fëmijëve Që Nuk Shikojnë, Lule, në emër të fëmijëve dhe mësuesve, i dhuroi ministres Kushi disa punime mjaft të veçanta “Braille”, të cilat lexohen me prekje.

Lule theksoi se sfidat për ata janë të mëdha, dhe se sot vendosin pikat dhe sfidat që duhet të realizojnë deri në 15 tetorin e vitit pasardhës.

“Kemi një vit kohë për të bërë gjëra akoma më të mëdha. Ky është muaji i ndërgjegjësimit për aftësitë e kufizuara në shikim”- e mbylli fjalën e tij Lule.

Ministrja Kushi pasi ka pritur fëmijët, organizoi edhe një takim me mësuesit e këtyre fëmijëve, të cilëve u shprehu angazhimin se do të vijojë puna që Instituti i Fëmijëve që Nuk Shikojnë, Instituti i Fëmijëve që Nuk Dëgjojnë, por edhe shkollat e tjera speciale publike të kthehen sa më shpejt në qendra burimore.

Në këto shkolla, krahas arsimimit, fëmijët do të mund të përgatiten më tej, duke mësuar nëpërmjet punëve praktike edhe zanate të përshtatshme për aftësitë e tyre, në mënyrë që të jenë në gjendje të punojnë gjatë gjithë jetës së tyre.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.