Zerimi i taksave, biznesi i vogël pagoi 5.3 miliardë lekë nga 19 miliardë lekë gjatë qeverisjes së PD-së

TIRANË, 14 tetor /ATSH/ Konsumi privat po jep kontribut pozitiv në zgjerimin e kërkesës. Ekonomitë familjare kanë rritur shpenzimet për shërbime dhe mallra ushqimore, në reflektim të uljes së pasigurive.

Ministrja e Shtetit për Standardet dhe Shërbimet, Milva Ekonomi bëri të ditur se, në vitin 2020 familjet shqiptare kanë shpenzuar 49 milionë euro më shumë se në vitin 2019.

Sipas saj, shpenzimet mesatare mujore arritën në vlerën 83,475 lekë. Ndërsa buxheti i shtetit nëpërmjet transfertave të drejtpërdrejta në buxhetet familjare kontribuoi me 70 milionë euro.

Ekonomi solli në vëmendje mbështetjen financiare që adresoi qeveria për biznesin dhe individët në kushtet e vështira ekonomike që krijoi pandemia.

“Qeveria mori masa dhe mbështeti biznesin nëpërmjet një pakete gjithëpërfshirëse në vlerën e 80 miliardë lekëve (650 milionë euro), ose e thënë ndryshe 5 % e PBB-së. Ndërkohë përmes pagave të luftës dhe instrumentave të garancisë sovrane mbështetëm gati gjysmën e të punësuarve në sektorin privat në mbi 83 700 biznese. Nga kjo masë përfituan buxhetet familjare 39 milionë euro, duke shkuar kështu kontributi i qeverisë me transferta të drejtpërdrejta në 109 milionë euro”, tha Ekonomi.

Sipas saj, gjatë periudhës 2014-2019 biznesi i vogël në vend ka paguar vetëm 5.3 miliardë lekë, falë taksimit të ndershëm dhe uljes deri në zero të taksave, ndryshe nga vitet e qeverisjes së djathtë, ku ky biznes ishte subjekt i tatim fitimit me 10 %, duke paguar kështu afro 19 miliardë lekë.

Duke u ndalur në indikatorët e tjerë ekonomikë, Ekonomi theksoi se, “statistikat nga sektori bankar, tregojnë se në fund të vitit 2020 depozitat e individëve vlerësohen rreth 8,4 miliardë euro, me një rritje rreth 526 milionë euro krahasuar me fundin e vitit 2019. Ndërsa kredia e individëve në sistemin bankar vlerësohet rreth 1,6 miliardë euro me një rritje prej 125 milionë euro”.

“Shifrat e INSTAT-it për 3-mujorin e dytë këtij viti tregojnë të dhëna pozitive të rimëkëmbjes pas tërmetit dhe pandemisë dhe rritja ekonomike prej 17,89 %, konfirmon qëndrueshmërinë e reformave të nisura për të përballuar krizat”, deklaroi Ekonomi.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.