Rama: 200 milionë euro nuk janë borxh, instrument për të mbrojtur shqiptarët


TIRANË, 14 tetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se 200 milionë euro nuk janë borxh, janë instrument për të mbrojtur shqiptarët.

Në fjalën e tij në Kuvend, Kryeministri Rama theksoi se “duke iu referuar atyre që u thanë këtu, meqë u soll FMN, FMN e kam këtu përpara në deklaratën në përfundim të misionit dhe po e citoj shkurtimisht: ‘Ekonomia e Shqipërisë ka treguar një qëndrueshmëri të konsiderueshme pas tërmetit të vitit 2019 dhe pandemisë. Pas vitit të vështirë 2020 aktiviteti ekonomik po ringrihet fuqishëm’, e thotë FMN. Ashtu sikundër thotë: ‘me një tjetër mandat qeveria është e mirëvendosur për të adresuar sfidat dhe për të kërkuar mbështetjen e gjithë aktorëve të shoqërisë në funksion të qëllimit'”.

“FMN thotë se pas një periudhe kontraktimi me 4 % në 2020, e cila është shumë më pak se çfarë ishte parashikimi fillestar, dhe është ku e ku më pak se parashikimi juaj, ekonomia po ngrihet fuqishëm me rritje 7.8 % në 2021 dhe, mbaje shënim këtu, se do të jetë mbi 8 %, nxitur nga mbështetja e vazhdueshme e politikave monetare dhe fiskale, nga rindërtimi, nga pakësimi i kufizimit të lëvizjes etj.”, nënvizoi Rama, duke shtuar se kjo është FMN shqip dhe anglisht.

Duke iu drejtuar kreut të opozitës, Lulzim Basha, Rama tha se “më tutje përsërite këtu prapë, se është e njëjta gjë që bën që kur ke hyrë në këtë sallë si kryetar i opozitës, përsërit të njëjtën duke shpresuar në një rezultat tjetër dhe merr po atë rezultat, dhe merr prapë të njëjtën gjë, dhe përsëri sot përsërite përsëritjen si përsëritës, duke i thënë shqiptarëve që ne kemi vajtur të marrim 200 milionë borxh. Ndërsa para një jave u the që u rrit çmimi i energjisë. Ashtu sikundër u the edhe sot që ka dalë tellalli të lajmërojë një krizë që nuk ekziston sot”.

“Sot nuk e përsërite që çmimet janë rritur vetëm në Shqipëri se çmimet janë rritur kudo, meqë solle Kosovën herën tjetër nuk e solle sot prapë se në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, në gjithë rajonin deri në Amerikë çmimet janë rritur. Gjithë bota flet për një krizë që është globale, nuk është lokale është e të mëdhenjve, është e të vegjëlve, e të pasurve e jo të pasurve. Është detyra ime, e kam bërë dhe do e bëj gjithmonë t’ju flas hapur njerëzve dhe sidomos kur i gjithë vendi do përballet me një krizë të kësaj natyre”, – shtoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se, “çmimi për konsumatorët familjarë dhe as për të tjerë nuk u rrit. Çfarë do të thotë kjo që nuk ka krizë, nuk është rritur kosto? Jo! Ka krizë, madje ka krizë të atillë dhe këtu jemi do e shikoni në ditët në vijim, jo vetëm çmimi i energjisë është rritur eksponcialisht, por problemi me të cilat po përballet vendi është mungesa e ofertës në raport me kërkesën, që do të thotë mund të jesh i gatshëm të paguash edhe më shumë, por mund të mos ta gjesh sasinë e energjisë që të duhet”.

Më tej Rama u shpreh se, “ato 200 milionë nuk janë borxh janë instrument garancie për të mbrojtur shqiptarët, jo për t’u faturuar krizën shqiptarëve, për të bërë të mundur që ajo kosto e rritur të mos shkojë në xhepin e familjeve shqiptare”.

“Të gjitha këto situata duhen përballur dhe teoria që të gjithë duhen mbrojtur, madje solle këtu në vëmendje edhe sipërmarrësit e mëdhenj, që në fillim të fjalimit i quan oligarkë, pastaj janë punëdhënës, edhe ata sipas zotërisë tënde, duhen mbrojtur. Por nga dalin këto të ardhura që duhen për të mbrojtur të gjithë? Së shpejti do mbajmë një konsultim kombëtar me shqiptarët si, kush do e mbajë barrën dhe si do shpërndahet barra e kësaj krize”, – theksoi Rama.

Duke folur për borxhin publik, Rama tha se, “nëse ne do kishim borxhin publik jashtë kontrollit, në tregjet kapitale që nuk duan të dinë as me kë je, as sa ke në xhep, nuk do të marrim dot financim, jo borxh, financim, likuiditet. Kjo do të ndodhë shumë shpejt dhe ju do ta shikoni që Shqipëria jo vetëm do marrë financimin që do kërkojë, por do ta marrë financimin që kërkon, sepse siç thotë dhe FMN në tregjet e kapitaleve është një faktor pa risk, Shqipëria nuk është në atë gjendje kur ju ishit para se të largoheshit, se nuk ju financonte njeri”.

/k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.