Moti i keq, ndërhyrje në rrugët e dëmtuara të Gjirokastrës

TIRANË, 14 tetor/ATSH/ Strukturat e bashkisë Gjirokastër kanë ndërhyrë për mirëmbajtjen e rrugëve  të dëmtuara, si shkak i motit të keq të stinës.

Në qytet dhe njësitë administrative, strukturat e bashkisë kanë punuar për mirëmbajtjen e infrastrukturës rrugore dhe shmangien e problematikave për qarkullimin e automjeteve.

Bashkia bën të ditur se është punuar për zhbllokimin e rrugës Kolonjë-Golem, në njësinë administrative Picar. Punonjësit dhe mjetet e rënda, kanë pastruar pjesë të rrugës nga inertet dhe materialet e ngurta, duke bërë të mundur rikthimin e qarkullimit të automjeteve.

Gjithashtu bashkia ka ndërhyrë edhe në rrugë të tjera rurale si në segmentin rrugor që të çon në fshatin Këllëz, në njësinë administrative Lunxhëri. Kjo rrugë ishte dëmtuar si shkak i rrëshqitjeve të tokës, gjatë shirave të ditëve të fundit.

Strukturat e bashkisë Gjirokastër kanë punuar edhe për  pastrimin e kolektorëve të ujërave të bardha, përgjatë segmenteve rrugore,  në lagjet e qytetit dhe njësitë administrative.

/k.s/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.