Kurti takon Abazoviçin, dakordësohen për luftimin e krimit dhe korrupsionit

PRISHTINË, 14 tetor/ATSH/ Pas diskutimit në panel në samitin e Ballkanit Perëndimor të organizuar nga “The Economist” me temën “Promovimi i solidaritetit dhe gjithëpërfshirjes në Evropë” që u mbajt sot në Shkup të Maqedonisë së Veriut, kryeministri Albin Kurti takoi zëvendëskryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviç, me të cilin biseduan për marrëdhëniet dypalëshe mes dy vendeve.

Siç thekson kumtesa qeveritare, Kurti falënderoi Abazoviç për bashkëpunimin e ngushtë mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi në shumë fusha dhe për mbështetjen e vazhdueshme në rrugën e integrimeve evropiane dhe euroatlantike nëpërmjet ndarjes së përvojave dhe njohurive.

Në takim u bisedua veçanërisht për agjendën reformuese dhe për bashkëpunimin në luftimin e krimit dhe korrupsionit, që siç u tha, duhet luftuar bashkërisht në të dy anët kufirit.

U diskutua edhe për lehtësimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe heqjen e barrierave që pengojnë zhvillimin më të madh ekonomik dhe investimet në të dy vendet. /KosovaPress/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.