Koncert me muzikë gjermane nga artistë nga Shqipëria, Gjermania dhe Afrika e Jugut

TIRANË, 14 tetor/ATSH/ Kuinteti i harqeve i përbërë nga Gloria Gashi dhe Thomas Gautier në violinë, Gareth Lubbe dhe Veit Hertenstein në violë dhe Vlorent Xhafaj në cello sollën mbrëmjen e djeshme për artdashësit kryeqytetas një koncert në kuadër të “Tetorit gjerman 2021”.
Koncerti i zhvilluar në sallën “Tonin Harapi” pranë Liceut Artistik, ishte një bashkim instrumentistësh kalibri nga Shqipëria, Gjermania dhe Afrika e Jugut, të cilët sollën një program me muzikë gjermane të autorëve Mendelsohhn-kuinteti nr. 1, op. 18 në La Mazhor, e kompozitorit bashkëkohor Elmar Lampson- “Passacaglia” për kuartet harqesh dhe Brahms- “Kuintet n.1, op. 88 në Fa Mazhor. Kompozitori Lampson ishte i pranishëm gjithashtu në koncert.
Akademiku Vasil Tole shprehet për këtë koncert se “në veprën e Mendelsonit, instrumentistët me emocion, me saktësi dhe korrektesë absolute evidentuan energjinë dhe pasionet rinore të Mendelsonit i cili ishte 17 vjeç kur e shkroi kuintetin e tij në vitin 1836. Në këtë vepër të hershme bie në sy formimi i plotë si kompozitor dhe njohja e thelluar e harmonisë, polifonisë dhe teknikës instrumentale”.
“Tek vepra “Passacaglia” e prof. LAMPSON, (drejtor i konservatorit të Hamburgut dhe kryetar i shoqatave muzikore që mbajnë emrat e Gustav Mahler dhe Alfred Schnitke), bie në sy niveli shumë i lartë i teknikave dhe strukturave kompozicionale të cilat burojnë nga shndërrimi gradual i tingullit dhe harmonisë tonale të valles mesjetare të “Passacaglias”, drejt ngjyrimeve atonale e politonale, kjo përmes mbivendosjeve melodike polifonike dhe teknikës jotradicionale të lojës në instrumentet e harqeve si frazhioleti etj.”, shprehet Tole.
Për akademikun Tole ishte mahnitëse loja e instrumentistëve të cilët i mundësuan spektatorëve këtë udhëtim tingullor në kohë.
“Kjo vepër e mrekullueshme ka dhe një version me orkestër simfonike. Spektatori e ngjiti në skenë me duartrokitje të nxehta prof. LAMPSON-in i cili e kishte pēr të parën herë si vizitën në Shqipëri ashtu edhe interpretimin e një vepre të tij”, – tha Tole.
Koncerti u organizua nga Ambasada Gjermane, Ministria e Kulturës, bashkia Tiranë në kuadër të Tetorit gjerman.

/k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.