Ibrahimaj: Në tremujorin e dytë rritja ekonomike 17.9 %, papunësia në nivelin 12.6 %


TIRANË, 14 tetor/ATSH/ Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj deklaroi sot se rritja ekonomike në vend për gjysmën e parë të vitit llogaritet 11.89 %, duke e bërë Shqipërinë vendin me rritjen ekonomike më të lartë në rajon.

Gjatë debatit në seancë plenare të Kuvendit për dy akteve normative për ndryshime në buxhet dhe në ligjin organik të buxhetit pas kthimit nga Presidenti, Ibrahimaj theksoi se përmes tyre u arrit konsolidimi fiskal si dhe ruajtja e stabilitetit makroekonomik të vendit, pas pasojave që i kanë lënë ekonomisë dhe vendit tonë dy fatkeqësitë e njëpasnjëshme tërmeti i 26 nëntorit dhe pandemia e COVID-19.

“Shenjat e rimëkëmbjes ekonomike pas këtyre 2 goditjeve janë inkurajuese, ku vetëm në tremujorin e dytë të këtij viti, rritja ekonomike ka shënuar shifrën prej 17.9 %, fakt i cili na jep më shumë besim dhe energji se me politikat fiskale të ndërmarra tashmë dhe me reformat e nisura dhe ato të parashikuara në Programin e Qeverisë 2021-2025, do të mund të sigurojmë një rritje ekonomike të qëndrueshme e cila do të prodhojë më shumë shërbime publike cilësore dhe mirëqenie të përgjithshme për qytetarët”, tha ajo.

Sipas ministres, aktet normative që u ndërmorën gjatë 2 viteve të fundit kanë shërbyer si instrument për reagimet e shpejta të qeverisë ndaj rreziqeve që paraqiste situata. Risqe që sipas saj, po shtohen nga situata e re energjetike botërore jo e favorshme, e cila patjetër që do të ndikojë në financat publike të vendit dhe do të ketë nevojë për ndërhyrje në legjislacionin përkatës.

“Ne ndërmorëm një politikë fiskale ekspansioniste e cila mundësoi jo vetëm rritje të sigurt të ekonomisë së vendit, por edhe asete dhe shërbime publike që do të rrisin akoma dhe më shumë cilësinë e jetesës për të gjithë qytetarët. Në 6-mujorin e parë ekonomia shqiptare u rrit me rreth 11.89 %, rritja më e madhe e rajonit. Treguesit e tregut të punës u stabilizuan dhe papunësia arriti një nivel 12.6 %. Importet u rritën me 26.2 % dhe eksportet me 22,5 % për periudhën 8-mujore, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm. Treguesit e tërthortë tregojnë për rritje të mëtejshme të ekonomisë. Presim që rritja ekonomike të arrijë në nivelin 7.6 % në fund të vitit”, tha Ibrahimaj.

Ministrja tha se ndryshimi i ligjit organik të buxhetit duke parashikuar shtyrjen për 1 vit të rregullave fiskale i jep “frymëmarrjen” e duhur buxhetit për një ekonomi që rritet në mënyrë të sigurt në periudhën afatgjatë.

“Sigurimi i rritjes ekonomike është i vetmi instrument dhe i vetmi garant për të mundësuar pas vitit 2024 dhe uljen e pandalshme të borxhit publik”, tha ajo.

Akti normativ i katërt për rishikimin e buxhetit 2021 parashikon një rritje të nivelit të shpenzimeve kapitale me rreth 7.7 % të PBB, përfshirë edhe rindërtimin, duke rritur kësisoj dhe deficitin buxhetor me rreth 0.6 % e PBB, dhe rrjedhimisht rritur dhe stokun e borxhit publik nga 76.1 % në vitin 2020 në rreth 80 % të PBB, përfshi dhe garancitë e reja të huamarrjes së sektorit elektroenergjetik.

“Politika fiskale do të mbetet plotësisht e orientuar për t’ju rikthyer objektivit të saj prioritar të konsolidimit fiskal në afatin e mesëm dhe afatin e gjatë, në përputhje si me rregullat fiskalë të sanksionuara në Ligjin Organik të Buxhetit për uljen e vijueshme të borxhit publik deri sa ai të zbresë poshtë nivelit 45 % të PBB, ashtu edhe në linjë me përcaktimet e Kritereve Ekonomike dhe rekomandimet specifike të Komisionit Evropian”, deklaroi Ibrahimaj.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.