Zona e re e Rindërtimit në Marikaj, miratohet kompensimi i pronarëve përmes shkëmbimit

TIRANË, 13 tetor/ATSH/ Këshilli i Ministrave në mbledhjen e sotme vendosi me propozim të ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, shpronësimin për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, përmes kompensimit me shkëmbim, për të gjitha pasuritë që preken nga realizimi i projektit në funksion të procesit të rindërtimit, që do të realizohet në zonën e re për zhvillim në njësinë administrative Marikaj, Bashkia Vorë.

Shpronësimi, sipas vendimit, përmes kompensimit me shkëmbim bëhet në favor të bashkisë Vorë.

Pronarët e pasurive të paluajtshme shpronësohen përmes kompensimit me shkëmbim, për pasuritë e llojit “truall”, “ndërtesë banimi” dhe “ndërtesë jo banimi”.

Shkëmbimi i pasurive private të llojit “truall”, “ndërtesë banimi” dhe “ndërtesë jo banimi” me një pasuri tjetër të paluajtshme në pronësi të shtetit, aktuale ose të ardhshme, të bëhet referuar legjislacionit në fuqi, do të lidhen, ndërmjet bashkisë Vorë dhe subjekteve të prekura nga ky shpronësim.

Afati i kryerjes së shkëmbimit të pronës private me një pronë shtetërore të ardhshme të jetë në përfundim të realizimit të projektit në funksion të procesit të rindërtimit, që do të realizohet në zonën e re për zhvillim në njësinë administrative Marikaj, Bashkia Vorë.

Bashkia Vorë i kërkon Agjencisë Shtetërore të Kadastrës që, jo më vonë se 30 (tridhjetë) ditë nga hyrja në fuqi e vendimit të shpronësimit përmes kompensimit me shkëmbim ose nga data që ka marrë formë të prerë vendimi i gjykatës, në rast se kompensimi kryhet nëpërmjet shkëmbimit të pronës private me një pasuri shtetërore të ardhshme, në kartelën e pasurisë për pronën truall, ku do të krijohet pasuria e ardhshme, në regjistrat e pasurive të paluajtshme të bëhet regjistrimi i barrës ligjore, sipas legjislacionit në fuqi, në favor të pronarit privat, për përfitimin në të ardhmen të pasurisë shtetërore, kur kjo e fundit të regjistrohet në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës.

Kur pronari privat ka pranuar kushtet e shkëmbimit, pjesë të kërkesës për regjistrim janë dhe marrëveshjet përkatëse. Me regjistrimin e pasurisë së ardhshme në regjistrin përkatës pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, me kërkesë të Bashkisë Vorë dhe të përfaqësuesit të pronarit shtet, bëhet regjistrimi i kalimit të të drejtave të pronësisë për pronën shtet, në favor të pronarit privat, sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi.

Bashkia Vorë, brenda 30 ditëve nga data e hyrjes në fuqi të vendimit të Këshillit të Ministrave për shpronësimin, i kërkon Agjencisë Shtetërore të Kadastrës të kryejë regjistrimin e pasurive, pronë private, të shpronësuara, sipas legjislacionit në fuqi dhe referuar aktmarrëveshjes së lidhur.

Gjatë periudhës së zbatimit të projektit (përfundimin e punimeve), qytetarët, nëse nuk kanë në pronësi ose në posedim objekte të tjera banimi, do të strehohen nga njësia e vetëqeverisjes vendore, nëpërmjet programeve të rindërtimit, të parashikuara në aktin normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, ose në legjislacionin në fuqi për strehimin sociale.

Agjencia Shtetërore e Kadastrës të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartat kadastrale dhe kalimi i pronësisë në favor të Bashkisë Vorë për pasuritë e shpronësuara.

Shpenzimet procedurale, në vlerën 70 000 (shtatëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Bashkia Vorë, si dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren Zyrtare”.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.