PD: Vonesa në shpërndarjen e bonusit të qirasë në Kurbin

TIRANË, 13 tetor/ATSH/ Deputeti i Partisë Demokratike në Kurbin, Kastriot Piroli u shpreh sot se “prej 3 javësh qytetarët e Kurbinit, të cilëve u janë dëmtuar banesat nga tërmeti, nuk marrin bonusin e qirasë”.

“2 vite pas tërmetit shkatërrimtar, të paktën 6 mijë laçjanë jo vetëm nuk kanë hyrë akoma në shtëpitë e tyre, por nuk marrin më as bonusin e qirasë. Bonusi duhet të ishte në llogaritë e qytetarëve prej datës 1 tetor. Sot është mesi i muajit dhe banorët e dëshpëruar gjenden përpara llogarive bosh! 1500 familjet janë në gjendje mbijetese”, tha ai.

Sipas Pirolit, “çdo ditë vonesë e bonusit të qerasë do të thotë që kryefamiljarët kanë hequr paratë e bukës së gojës së fëmijëve për të paguar qeranë, që ka marrë përsipër ta paguajë qeveria”. /m.m/j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.