Meta: Akademia e Studimeve Albanologjike duhet të fuqizohet

TIRANË, 13 tetor/ATSH/ Presidenti Ilir Meta zhvilloi sot një vizitë në Akademinë e Studimeve Albanologjike, ku ndër të tjera vlerësoi rolin e madh të kësaj akademie për forcimin e identitetit tonë kombëtar.

“Të shohësh nga afër kryeveprat dhe dëshmitë e forta të civilizimit të hershëm europian të kombit shqiptar, autokton në trojet e veta, është vërtet një ndjesi e papërshkrueshme krenarie dhe emocionesh”, tha Meta.

Presidenti u shpreh se “ishte një kënaqësi shumë e veçantë të vizitoje Akademinë e Studimeve Albanologjike dhe të bisedoje hapur me Profesor Luan Përzhitën dhe ekipin e mrekullueshëm të akademikëve, profesorëve dhe restauratorëve, të cilët punojnë me shumë përkushtim, për të ruajtur dhe promovuar një trashëgimi historike dhe kulturore të jashtëzakonshme, e cila duhet të jetë një prioritet edhe më i rëndësishëm mbarëkombëtar, për të gjitha institucionet shtetërore dhe jo vetëm”.

“Akademia e Studimeve Albanologjike, me një rol të madh për forcimin e identitetit tonë kombëtar, meriton të fuqizohet dhe të mbështetet më shumë”, tha Meta.

/m.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.