SPAK mbyll hetimet dhe çon për gjykim çështjen e tenderit të uniformave të policisë

TIRANË 12 tetor /ATSH-I.Vata/ Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe ka çuar çështjen për gjykim 10 zyrtarët dhe ish-zyrtarët të Ministrisë së Brendshme lidhur me tenderin për “Blerje dhe shpërndarje e uniformave dhe këpucëve të Policisë së Shtetit”.

“Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në datë 11.10.2021 ka paraqitur kërkesën për gjykim të procedimit penal nr.174/1 të vitit 2020 në ngarkim të të pandehurve E.N.; F.Ç.; A.B.; A.M.; A.O.; F.D.; K.H.; K.B.; M.B.; G.M., akuzuar për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”. Nga aktet e administruara ka rezultuar se me datë 11.05.2020 në Agjencinë e Blerjeve të Përqendruara në Ministrinë e Brendshme është zhvilluar procedura e prokurimit për llogari të Autoritetit Kontraktor, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, me objekt “Blerje dhe shpërndarje e uniformave dhe këpucëve të Policisë së Shtetit”, për 4 vjet, me fond limit 2.800.347.570 (dy miliard e tetëqind milionë e treqind e dyzet e shtatë mijë e pesëqind e shtatëdhjetë) lekë (pa TVSH)”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Nga hetimi kanë rezultuar veprime të kundërligjshme të bëra nga: titullari i Organit Qendror Blerës, Drejtor i Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara, E.N., në bashkëpunim me anëtarët e Njësisë së Prokurimit F.Ç.; A.B.; A.O.; K.H.; A.M.; si dhe anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave K.B.; F.D.; M.B. dhe G.M., të cilët, në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik, kanë favorizuar bashkimin e subjekteve juridike të shpallura fituese në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik, duke sjellë si pasojë cenimin e lirisë së pjesëmarrësve në tendera dhe krijimin e avantazheve të padrejta për palët e treta.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.