Sfidat dhe problematikat, Manja takim me drejtuesit e IEVP-ve dhe Policisë së Burgjeve

TIRANË, 12 tetor/ATSH/ Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja zhvilloi një takim me drejtuesit e institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale dhe të Policisë së Burgjeve, me të cilët bisedoi mbi sfidat dhe problematikat në sektorin e burgjeve.

Gjatë takimit, Manja dëgjoi me vëmendje për tematikat dhe çështjet, që hasen në sistemin penitenciar.

Ministri Manja vlerësoi angazhimin dhe përkushtimin e punonjësve të IEVP-ve në të gjithë nivelet si dhe të efektivëve të Policisë së Burgjeve duke përfshirë periudhën e vështirë të pandemisë së koronavirusit gjatë vitit të fundit.

Ai i falënderoi për punën e deritanishme stafet që mbulojnë këtë sektor shumë të rëndësishëm penitenciar, që ka njohur vëmendjen e qeverive me ndërmarrjen e reformave të rëndësishme.

Ministri i Drejtësisë kërkoi me këmbëngulje, vigjilencë maksimale për gjithçka që ndodh në institucionet e vuajtjes së dënimit.

“Është detyrim që të realizohet puna me integritet dhe bashkëpunim të ndërsjellë, si administrativ dhe policor, si e vetmja rrugë për të përmbushur detyrën”, i tha Manja të pranishmëve.

Ndërkaq, u theksua se janë marrë të gjitha masat për të pasur infrastrukturën e nevojshme për të dënuarit dhe ofruesit e shërbimeve.

“Këto detyra janë një përgjegjësi përpara ligjit dhe së drejtës”, theksoi Manja.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.