Sejko: Politika monetare lehtësuese, rritja e çmimeve kalimtare

TIRANË, 12 tetor /ATSH/ Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko deklaroi sot “ekonomia shqiptare është në një fazë rimëkëmbje që ka rezultuar më e shpejtë se projeksionet tona e mbështetur nga ecuria e mirë e vaksinimit të popullatës nga COVID-19, rritja e kërkesës së huaj, rritja e konsumit dhe investimeve”.

Në konferencën e përbashkët për shtyp, në përfundim të konsultimeve të Artikullit IV, me Shefen e misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) për Shqipërinë, Yan Sun, ministren e Financave dhe të Ekonomisë Delina Ibrahimaj, Guvernatori i BSH-së, Sejko vuri në dukje se “masat e ndërmarra nga qeveria dhe Banka e Shqipërisë reduktuan barrën financiare të familjeve dhe biznesit, frenuan papunësinë dhe dhe krijuan premisa për rimëkëmbjen e ekonomisë, në kushtet situatës së krijuar nga pandemia COVID-19”.

“BSH do të punojë me standardet e BE-së për zhvillimin e mëtejshëm të sistemit financiar dhe përmirësimin e mëtejshëm për sistemin e pagesave”, u shpreh Sejko.

“Reformat strukturore të ndërmarra nga BSH-së, kanë mbështetur një përdorim më të madh të lekut në transaksione, uljen e kredisë me probleme dhe kanë forcuar sistemin bankar”, tha Guvernatori, ndërsa theksoi se, “sektori bankar në vend është likuid dhe i gatshëm të mbështesë ekonominë me para, me kosto të ulët”.

Duke u ndalur në rritjen e çmimeve në tregun vendas, Sejko vuri në dukje se, inflacioni në rritje ka ardhur nga importi dhe është kalimtar.

“Projeksionet tona për ekonominë janë pozitive. Aktiviteti ekonomik pritet të rritet gjatë vitit në vijim dhe ai do të jetë i qëndrueshëm për të gjeneruar dhe arritjen e objektivit për inflacionin në nivelin 3 % deri në vitin 2022”, tha ai.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.