Musk dhe Bezos garë miliardash

UASHINGTON, 12 tetor /ATSH-DPA/ – Përçarja mes dy prej njerëzve më të pasur mbi Tokë vazhdon të thellohet, pasi themeluesi i ”SpaceX” dhe ”Tesla”, Elon Musk tha sërish në Twitter se hendeku i tij me Jeff Bezos, pronari i ”Amazon” po vazhdon të rritet.

Pasuria e Musk u rrit me shpejtësi gjatë ditëve të fundit, pasi një shitje dytësore nga investitorët vlerësoi ”SpaceX” në më shumë se 100 miliardë dollarë.

Kjo e rriti më tej pasurinë totale të Elon Musk me 10,6 miliardë dollarë, në 222 miliardë dollarë.

Bezos është në vendin e dytë me 191,6 miliardë dollarë.

Të dielën e kaluar, Bezos postoi në Twitter një fotografi të faqes së parë të gazetës ”Barron” nga viti 1999 që e quajti ”Amazon” si “Amazon. Bombë”, duke nënkuptuar se modeli i biznesit do të jetë një dështim i plotë.

Bezos dërgoi ”cicërimën” së bashku me një mesazh frymëzues.

Sidoqoftë, Musk iu përgjigj ”cicërimës” me një ”emoji” të medaljes së argjendtë që i kujtonte Bezos vendin e tij të dytë në listën aktuale të më të pasurve.

Musk ka rritur pasurinë e tij me më shumë se 52 miliardë dollarë në vitin 2021.

”Tesla”, kompania e tij e regjistruar publikisht është rritur 13 për qind.

Sherri mes të dyve nuk ka të bëjë vetëm me vlerën neto.

Të dy, Musk dhe Bezos, kanë planet e tyre të turizmit hapësinor dhe të dy kanë filluar ta bëjnë turizmin hapësinor një realitet duke nisur anije të shumta hapësinore në tremujorin e fundit të vitit./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.