Konflikti pranë shkollës “Andon Zako Çajupi”, pezullohen nga detyra dy mësueset

TIRANË 12 tetor /ATSH-I.Vata/ Zyra Vendore Arsimore Tiranë ka pezulluar nga detyra dy mësueset e përfshira në konfliktin e ditës së djeshme pranë shkollës “Andon Zako Çajupi” në Tiranë.

Në njoftimin për mediet, Zyra Vendore Arsimore Tiranë sqaron se “menjëherë pasi ka konfirmuar zyrtarisht nga organet kompetente përfshirjen e dy mësueseve të shkollës së mesme “Andon Zako Çajupi” në ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme jashtë ambienteve të shkollës, Zyra Vendore e Arsimit Parauniversitar Tiranë ka kërkuar nga Institucioni Arsimor mbledhjen urgjente të komisionit të etikës për vlerësimin e rastit në fjalë”.

Në njoftimin e saj publik Zyra Arsimore thekson se, “dëshirojmë të garantojmë opinionin publik dhe prindërit e nxënësve në veçanti se për çdo punonjës arsimor i cili përfshihet në ngjarje që cenojnë integritetin e profesionit, apo figurën e lartë të mësuesit, institucionet tona do të veprojnë pa asnjë tolerim, duke u mbështetur në aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi”.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.