FOKUS – Studim revolucionar që rishikon rolin e karbohidrateve dhe yndyrave të ngopura

ROMË, 12 tetor /ATSH-ANSA/ – Karbohidratet dhe yndyrat e ngopura mbrojnë zemrën.

Ky është studimi revolucionar për ata që i duan karbohidratet dhe nuk kujdesen shumë për shmangien e yndyrës së ngopur.

Sipas hulumtimeve të gjera australiane, ato mbrojnë kundër rrezikut të atakut kardiak.

Studimi i Universitetit Monash të Melburnit, i botuar në ”British Medical Journal”, me 10 000 gra australiane që u ndoqën për 15 vjet dhe konsumi i karbohidrateve të të cilave përbënte 41 deri në 44% të dietës zbuloi se ato kishin një rrezik më të ulët të sëmundjeve të zemrës në krahasim me ato të cilat konsumuan nivele më të ulëta të karbohidrateve.

Studimi shton dëshmitë në rritje se këshillat “historike” shëndetësore që fokusohen në shmangien e yndyrave të ngopura janë mashtruese.

“Ndoshta ne kemi demonizuar yndyrën e ngopur pak më shumë. Tani kemi dëshmi se nuk ka asnjë lidhje të zbulueshme me sëmundjet e zemrës. Gratë, dietat e të cilave përmbajnë midis 41 dhe 44 për qind karbohidrate kishin një shans të zvogëluar 44 për qind të sëmundjeve kardiovaskulare”, thotë Sarah Zaman nga Qendra Kërkimore Kardiovaskulare e Universitetit.

Ata që hëngrën një përqindje shumë të lartë ose të ulët të karbohidrateve kishin më pak shëndet të mirë.

Ngrënia e sasive të moderuara të karbohidrateve mbart një rrezik prej 79% të reduktuar të diabetit të tipit 2 dhe 86 deri në 99% më pak rrezik të hipertensionit dhe obezitetit.

Gjetjet kundërshtojnë shumë nga kërkimet epidemiologjike historike që mbështetën një lidhje midis yndyrës së ngopur dhe sëmundjeve kardiovaskulare.

Përkundrazi, rezultatet konfirmojnë meta-analizat e fundit, sipas të cilave yndyrat e ngopura nuk kanë lidhje domethënëse me vdekshmërinë totale ose sëmundjet kardiovaskulare.

Ndërsa shkaku i kësaj mospërputhjeje në literaturën mjekësore është i paqartë, studimet e kaluara spekulohen se kanë anashkaluar rolin e fibrave që ndihmojnë në parandalimin e grumbullimit të pllakave në arterie.

“Provat tregojnë se ne duhet të përqendrohemi më pak në ushqyes të veçantë dhe më shumë në dietën në tërësi”, shton Zaman.

“Dieta më e mirë është ajo që përfshin drithërat, perimet dhe frutat, proteina të shëndetshme si peshku, bishtajoret, arrat dhe farat, qumështi pa shije dhe kosi. Ne ende rekomandojmë përqendrimin në zgjedhjet e shëndetshme të yndyrës”, thekson ajo./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.